Kanë dalë detaje të reja nga krimi i rëndë i ndodhur pasditen e së hënës në ambientet e Gjykatës së Apelit ku u ekzekutua gjyqtari Astrit Kalaja.

Autori tashmë i identifikuar dhe i arrestuar, Elvis Shkëmbi, ka qëlluar tri herë mbi qytetarin.

Në këtë ngjarje të rëndë mbetën të plagosur edhe dy qytetarë të tjetër, babë e bir. Njëri nga të cilët ka marrë një plumb në krah, tjetri një plumb poshtë brinjës.

Policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, brenda ambienteve të gjykatës. Autori i dyshuar është Elvis Shkëmbi, 30 vjeç.

Sipas policisë, ky i fundit ka qëlluar në drejtim të gjykatësit dhe palës tjetër në proces, Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, përkatësisht 65 dhe 45 vjeç.

“Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur  kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit”, tha policia.

Gjithashtu janë sekuestruar kamerat e sigurisë në gjykatë për të parë si është futur me armë autori, ndërsa po merren në pyetje edhe punonjësit e sigurisë të gjykatës.