Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se dy spitale në qytetin e Gazës janë nxjerrë jashtë funksionit, për shkak të përshkallëzimit të operacioneve tokësore izraelite dhe dëmeve të shkaktuara nga bombardimet e vazhdueshme izraelite, ndërsa tanket përparojnë më thellë në enklavë.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha në një deklaratë se Spitali i Fëmijëve Al-Rantissi u dëmtua rëndë disa ditë më parë nga bombardimet izraelite. Në të njëjtën kohë, ajo foli për sulme izraelite në zonën përreth Spitalit të Syve, të cilat rezultuan në ndërprerjen e shërbimeve edhe atje.
“Asnjë nga institucionet ose spitalet nuk ka rrugë të sigurta që u lejojnë pacientëve dhe të lënduarve të arrijnë tek ato”, shtoi Ministria.
Për momentin, pala izraelite nuk ka komentuar për këtë çështje.
Sot, banorët në Gaza thanë se tanket izraelite përparuan më thellë në zonën Sheikh Radwan dhe Rrugën Jala në pjesën veriore të qytetit të Gazës, ku ndodhen dy spitalet, ndërsa në Tel Al Hawa, në jug, tanket po përparojnë më thellë, drejt lagjeve perëndimore të qytetit.
Sipas të njëjtit burim, forcat izraelite përdorën automjete të ngarkuara me eksplozivë, të cilët i shpërthyen nga distanca, për të hedhur në erë dhjetëra shtëpi në të dy zonat.
Në një takim sot në Shtabin e Forcave të Armatosura në Tel Aviv me Ministrin e Mbrojtjes Yisrael Katz dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare Eyal Zamir, Kryeministri Benjamin Netanyahu përsëriti vendosmërinë e tij për të eliminuar Hamasin, për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura dhe për të garantuar që Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin.
Ndërkohë, Autoritetet Shëndetësore Palestineze raportuan se të paktën 25 persona u vranë nga sulmet izraelite sot përgjatë enklavës, shumica e tyre në Qytetin e Gazës./kohajuaj