Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas përgjigjes së Këshillit Bashkiak lidhur me mbledhjen e thirrur për shkarkimin e tij, ditën e martë.
Në një shkresë drejtuar Këshillit, Veliaj thekson se nuk është njoftuar zyrtarisht për rendin e ditës dhe as për akuzat që rëndojnë mbi të. Ai shprehet se i është mohuar mundësia për t’u mbrojtur, si fizikisht ashtu edhe me shkrim, për shkak të mungesës së transparencës dhe ndodhjes së tij në paraburgim.
Veliaj kritikon rolin e Sekretarit të Këshillit, duke e cilësuar tejkalim kompetencash përgjigjen që erdhi sot nga ky i fundit. Veliaj kërkon një vendimmarrje të qartë dhe me votim nga vetë Këshilli, në respekt të të drejtave kushtetuese të kryebashkiakut, nëse duhet të jetë i pranishëm në seancë apo jo.
Reagimi i plotë:
Në datën 22 shtator 2025, sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës ka bërë publik një njoftim (nuk ka një njoftim zyrtarë) mbi thirrjen e një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak, të planifikuar për datën 23 shtator, ora 16:00.
Ky njoftim nuk përmban asnjë vendimmarrje të vetë Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtës kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë për t’u dëgjuar, mbrojtur dhe shprehur qëndrimin e tij, siç parashikohet në çdo proces serioz e të drejtë që mund të çojë në një vendim për ndërprerje mandati kushtetues.
Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë tagër ligjor për të marrë vendime në emër të Këshillit, dhe aq më pak për të interpretuar mënyrën se si Kryetari i Bashkisë duhet të ushtrojë të drejtën e tij për mbrojtje. Funksioni i Sekretarit është thjesht administrativ, jo politik dhe jo vendimmarrës.
Edhe një ditë para mbledhjes:
• Kryetari i Bashkisë nuk është informuar zyrtarisht për qëllimin e mbledhjes;
• Nuk është dërguar rendi i ditës;
• Nuk janë bërë të ditura shkaqet apo materialet mbi të cilat pretendohet shkarkimi;
• Nuk është garantuar e drejta për t’u dëgjuar e mbrojtur.
Kujtojmë se kryetari i Bashkisë ndodhet në kushtet e paraburgimit, përmes një mase sigurimi joproporcionale, gjë që kufizon ndjeshëm aftësinë e tij për të qenë prezent me vullneti apo për të ndjekur në mënyrë efektive një proces që mund të prekë statusin e tij si i zgjedhur me votë nga qytetarët e Tiranës.
Kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj, mbetet në pritje të një vendimmarrjeje të qartë dhe të dokumentuar nga Këshilli Bashkiak, që garanton në mënyrë të plotë të drejtën e tij për të ushtruar mbrojtjen dhe për të qenë i dëgjuar, siç i takon çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, aq më tepër një të zgjedhuri në mënyrë demokratike.