Seanca parlamentare ka nisur me tensione e debate mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës.

Tensionet nisën pasi kryedemokrati Sali Berisha shkoi në foltoren e Kuvendit për të mbajtur fjalën.

“Të tregojmë që jemi të respektueshëm karshi rregullores”, tha deputeti i PS, Vasil Llajo, i cili hapi seancën pas refuzimit të Sali Berishës për të drejtuar Kuvendin si ligjvënësi më i vjetër.

Ndërsa Sali Berisha në fjalën e tij u shpreh se:

“Kryesuesi i seancës nuk lexoi emrat e Bahri Bajrit, Pëllumb Gjokës. Nuk lexoi pra emrat e deputetëve të vërtetë të partisë së krimit, PS-së, por vetëm prestanomet. Lexoi Lubi Ballukun, mbi të cilën…”.

Por fjala e tij u ndërpre pasi Taulant Balla kërkoi nga drejtuesi i seancës, Vasil Llajo që t’i ndërpriste fjalën.

Ndërkohë që kryesuesi i seancës së parë të Kuvendit, deputeti socialist Vasil Llajo i bëri thirrje kryetarëve të partive politike për të lexuar propozimet për deputetët që do të formojnë komisionin e verifikimit të mandateve, kreu i PD-së refuzoi të bënte propozimet.

Në foltore Berisha filloi të akuzonte dhe njëherë PS-së, ndërkohë që u desh ndërhyrja e Gardës pas bllokimit të foltores nga ana e demokratëve.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla lexoji 6 propozimet për përbërjen e komisionit të verifikimit të mandateve, Gazment Bardhi ka prishur mikrofonin.