Nga Vjosa Limani-
Mirela Kumbaro, gruaja me superfuqi ministeriale, është ndoshta i vetmi rast në botë ku një ministër arrin të shpallë Shqipërinë “më tërheqëse se Spanja” për turizmin, ndërkohë që pushuesit e huaj bëjnë selfie me… plehrat buzë detit.
Po, është art vizual, një lloj “ekspozite moderne” ku qeset plastike valëviten me hijeshi si instalacione në bienalen e Venecias.
Dhe pas këtij suksesi spektakolar në turizëm, zonja Kumbaro ka marrë në dorë një tjetër sektor: arsimin. Sepse në këtë vend, kur bën “mrekulli” me plazhet, pse të mos bësh magji edhe me shkollat?
Mirela Kumbaro ka një dhunti të rrallë: të bëjë që realiteti të duket më i bukur se ç’është, por vetëm në deklarata. Turizmi e përjetoi këtë; tani është radha e arsimit. Pa harruar që kulturën e ndriti, por nuk po i rikthehemi asaj kohe!
Sipas strategjisë të mirëmenduar nga “Profesoresha e Turizmit” me qëllim shkatërrimin e arsimit pas turizmit, kopshtet priten të bëhen si resortet e rivierës – me fëmijë që do mësojnë alfabetin duke ngrënë akullore me shije “turizëm kulturor”. Nuk ka më lodra plastike të thjeshta – fëmijët do të kenë mini-pishina, ku do të mësojnë notin bashkë me “a, b, c”.
Ndërsa në shkollat 9-vjeçare, mësuesit nuk do kenë më probleme me tekstet. Librat e historisë do të hiqen. Do zëvendësohen me broshura turistike. Fëmijët nuk do mësojnë më për Skënderbeun – jo, ata do mësojnë itinerarin Tiranë–Jalë me autobus urban.
Gjeografia? Shumë e thjeshtë: kush gjen rrugën për në plazhin e Lalëzit pa GPS, merr dhjetë!
Si do mësojnë matematikën? E thjeshtë fare: një shezlong + një çadër = një familje e lumtur.
Gjimnazet janë ato ku është menduar të bëhet dhe revolucioni në arsim!
P.sh
Provimet e maturës do zhvillohen në plazh: kush di të shpjegojë Shekspirin në rërë, merr notën 10.
Kush di të bëjë një selfie me sfond turistik, fiton bursë.
Kush mungon në shkollë, i dhurohet një udhëtim në Valbonë
Dhe tani kulmi: universitetet shqiptare, si pika e dobët e Profesoreshës që i sheh ato me syrin e pushuesit, jo studentit , Harvard-i do t’i vijë anash, po ashtu dhe Oksfordi.
Po, po! Me fakultete të reja si “Menaxhimi i shezlongëve”, “Shkenca e çadrave” dhe një degë të posaçme për “selfie”, do të jenë të parët në botë që do të rishpikin turizmin.
Auditoret do të jenë me pamje nga deti.
Gjatë provimeve shërbimi do të jetë “all-inclusive”.
Diplomimi do bëhet në plazh, nën zhurmën e dallgëve, me ceremoninë nën yje, ndërsa çdo diplomë do vijë bashkë me një ofertë turistike.
Në fund të fundit, kush tha që arsimi duhet të jetë sfidë? Në Shqipëri, arsimi do të bëhet një “paketë pushimi”, ku prindërit, fëmijët dhe profesorët do të ndihen njësoj si turistë.
Mirela Kumbaro ka një dhunti të rrallë: të bëjë që realiteti të duket më i bukur se ç’është, por vetëm në deklarata. Turizmi e përjetoi këtë; tani është radha e arsimi. /kohajuaj