Nga Erion DASHO –
Ditë më parë ndërroi jetë një njeri i mirë, ish i dënuar politik. Nipi i vet shkroi në pak rreshta se daja kishte kaluar 20 vjet në burgjet e diktaturës, si i dënuar politik; gjithë rininë e vet…
Do të mjaftonin këta mijëra të dënuar për një fjalë goje, shpesh me gjyqe të stisur, shpesh vetëm se kishin lindur në familjen e “gabuar” për ta dënuar në përjetësi komunizmin, frymëzuesit, drejtuesit, por edhe zbatuesit e tij.
Të dënosh sot Enverin është obligim për çdo shqiptar me ndërgjegje. Po kështu është obligim të dënosh kupolën komuniste 50 vjeçare, madje edhe ata që për ironi të fatit dhe kapriço të diktatorit u kthyen në viktima të sistemit që ndërtuan vetë.
Jam plotësisht dakord me ata që përbuzin edhe veglat e sistemit, hetuesit dhe gjyqtarët që u vodhën jetën mijëra shqiptarëve, sekretarin e partisë që bënte namin në ndërmarrje, kryetarin e këshillit që të nxinte jetën në lagje, deri edhe spiunin 70 lekësh dhe apo vullnetar, dëshmitarin e rremë, etj.
Ata ishin tentakulat e Enverit, Ramizit, Mehmetit, Adilit, Beqirit, etj. Pa ata komunizmi nuk do të kishte qënë aq i ashpër dhe aq kriminal!
Brezi ynë është i fundit që e mban mend regjimin kriminal komunist. Kur fëmijët pyesin se si ka qënë Shqipëria në komunizëm, ne për fat të mirë mund të drejtojmë gishtin nga Koreja e Veriut dhe t’u themi “Si këta”.
Fëmijët çuditen kur mendojnë se ai sistem sot do të kishte ndaluar internetin, do të pushkatonte në kufij ata që tentonin lirinë, do të nxiste turmat të duartrokisnin “fitorjet” dhe të kalonin në histeri kur t’u dilte para syve diktatori. Dëmi që ai sistem i bëri shqiptarëve është i pariparueshëm.
》Kur ne izoloheshim, Europa bashkohej.
》Kur ne indoktrinoheshim, bota çlirohej.
》Kur ne ndërtonin traktorë që nuk ecnin, bota shkonte në Hënë.
》Kur ne ndërtonim bunkerë, fqinjët tanë ndërtonin hotele me pesë yje për të pritur turistë.
Unë qesh me ata që mendojnë se ai sistem solli “përparimin”. Ai sistem na la aq pas, sa që edhe sot, tridhjetë e tre vjet pas shembjes së tij, ne nuk po e kapim dot kohën.
Mbi të gjitha, ai sistem, sikundër krijoi kriminelin, krijoi edhe mentalitetin e skllavit që nuk po shqitet dot prej ndërgjegjes të shqiptarit.
Babai kryetar kooperative dje vinte skllevërit në punë dhe vet shtronte darka me qengjat që i therrte sikur t’i kishte të vathës së vet, ndërkohë që fshatarët hanin bukë misri me gurë.
Djali sot fut dorën në buxhet dhe vjedh me tendera, projekte dhe vende pune! Babai drejtor ndërmarrje dje krenohej duke bredhur rrugëve me makinë, ndërkohë që punëtorët e vet nuk ëndërronin dot as një biçikletë. Djali dhe vajza sot bredhin me çartera dhe nuk ua bën syri tërr nga kritikat dhe sharjet!
Babai spiunonte dje shokun, fqinjin, dilte dëshmitar i rremë në gjyq dhe fuste viktimat bë burg për 10, 20 vjet, ose edhe i çonte në pushkatim.
Djali dhe vajza sot ngrenë skema me patronazhistë dhe aktivistë!
Populli fatkeqësish, është po njëlloj!
Të njëjtët që duartrokisnin dje, duartrokasin edhe sot! Ulnin kurrizin dje, e ulin edhe sot! Adhuronin kriminelët dje, i adhurojnë edhe sot!
Edhe sa do të vazhdojë ky mallkim vallë??!!