Në fshatin  Novosej, në Pllajën e Shishtaveit në Kukës në lartësinë  mbi 1300 m mbi nivelin e detit, vjeshta  vjen më herët dhe moti ka nisë të freskohet në pjesën më të bukur të Parkut Kombëtar Korab – Koritnik. Kullotat, lëndinat, shpatet e buta veç bukurisë,  ofrojnë gjithnjë  e më pak gjallëri.

IMG 20250828 WA0005

Është në kufijtë e të pabesueshmes, por në këtë pllajë,  ku dikur kalërohej me mbi 400 kuaj, sot kanë mbetur vetëm pesë. Në mbi 30 kope me lopë janë vetëm 36 kokë në të vetmen kope, në mbi 3 mijë të imëta janë vetëm 70 krerë, e mbi të gjitha nga 400 shtëpitë e mbushura plot me jetë dhe breza kanë mbetur  rreth 35 shtëpi te banuara, me pleq dhe gra. Shifrat e trishta  konfirmohen nga bariu i fshatit që në memorjen e tij mban mend gjithçka.

IMG 20250828 WA0004

I vetmi bari në kullota është  Rexhep Tema, që nuk e fsheh dëshpërimin e thellë për  ikejn e banorëve, tkurrjen e fshatit nga emigracioni dhe shpresën e këputur të rikthimit.

IMG 20250828 WA0000

“ Edhe këto bagëti që kemi do hiqen dangadalë, se s’ka kush i ruan. Dikur ishte plot kullota dhe bjeshka. Kemi mbetë pak familje, krysisht të moshuar dhe nuk bëhen as nxënësit më hapë një klasë, kur kemi patur nga dy paralele”, – thotë i vetmi bari i fshatit.

Mahumut Noka, i etiketuar si një “Robin Hud” i këtyre anëve ruan në vetvete pamjet dhe vyrtytet e malësorit që nuk dorëzohet. Ai bën jetën e lirë në bjeshkë, kroje, mes malesh e kafshësh të egra, dhe  s’ka ndërmend të lëshojë fshatin që e do aq shumë, dhe është personifikimi I tij.

Veç natyrës perlë që ka fshati këtu prodhoheshin mijëra ton patate vendi më cilësi të lartë, sot parcalat vijnë e duke u zvogëluar përditë.

IMG 20250828 WA0003 1

Edhe infrastruktura është përmirësuar dhe nga Kukësi në fshat shkohet për 30 minuta përgjatë Grykës së Vanave , e famshme për kaniet dhe shpellat e saj,edhe numri I turistëve është shumë i pakët. Me resurset që ka zona me liqenin akullnajor, më afrësinë kufirit me Kosvën e Maqedoninë, turzmi duhet të ketë një ritëm më të madh.

Dimri në këto anë dikur mbante të mbuluar me borë e të bllokuar fshatin  për mëse 6 muaj, por tani dhe ai “është arratisur “, nga bjeshka dhe fshati.

Anës rrugës në një lokal të ngritur vitet e fundit, ndalojnë pak njerëz për të shijuar mishin, pataten dhe bulmetin e zonës, e në qendër të fshatit 2 kafene ku burrat bëjnë muhabet me të madhe dhe luajnë domino.

Shumica e banorëve të fshatit u larguan drejt  Kukësit, Tiranës dhe jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë. Janë mbi 440 djem emigrant që nuk e harrojnë fshatin, madje mbledhin dhe para për pastrimin e tij, kanalizemet, ndërtimin e xhamisë ndihmën e familjeve në nevojë, ndërtojnë dhe vila të bukura, por nuk jetojnë në fshat.

IMG 20250828 WA0001

Fshati, që po shuhet është i njohur, dhe për vlerat e trimërisë dhe ato intelektuale që ka nxjerrë në rang lokal e kombëtar, mjafton të kujtojmë  gjen. Kol Rrahman Parllaku, “Hero i Popullit”, që jetoi mbi një shekullnjë me një jetë e aktivitet plot  histori në rang botëror për kontributin në luftë më pas në ushtri, dhe persekutimin, Idriz Basha një intelektual që më shumë punoi e jetoi në arrati,  e plot figura të tjera deri tek Dimal Basha, i sapozgjedhur si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, prejardhja e të cilit është nga Novosej. E nëse vijohet kështu na mbetet të themi

“…na ishte një herë fshati Novosej…”/kohajuaj