Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka paraqitur sot (25 gusht) apelin kundër vendimit të GJKKO-së që e la në arrest me burg.

Më 22 gusht Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar refuzoi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj Ilir Metës, duke argumentuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për një masë më të butë sigurimi.

Në vendimin e saj, gjykata arsyetoi se pozita procedurale e Metës është rënduar, pasi ndaj tij është konsoliduar akuza dhe është marrë në cilësinë e të pandehurit, për vepra penale të rënda si Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë, në tre raste (dy prej tyre në bashkëpunim), Pastrimi i produkteve të veprës penale, në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur, Fshehje dhe mosdeklarim i pasurisë, sipas nenit 257/a/2 të Kodit Penal.

“Në kushtet e krijuara dhe persa cituam me siper, i kerkojme Gjykatës se Posaçme te Apelit ndryshimin e vendimit nr. 546 date 13.08.2025 te Gjykates Shkalles Pare kunder Korrupsionit dhe Krimit Organizuar, dhe pranimin e kerkesës per zëvendesimin e mases sigurimit personal per te pandehurin Ilir Metaj ne nje mase tjeter që te jete propocionale me rrethanat e krijuara, por edhe me personalitetin e tij. Per ne masat me të  pershtatshme jane: Ndalimit te daljes jashte shtetit, Paraqitaja perpara oficerit policise giygesore, dhe Garancia pasurore“, thuhet në dokumentin e apelit të Ilir Metës.

Gjykata vlerëson se rreziku për cënimin e provave mbetet aktiv, sidomos për faktin se një pjesë e madhe e dëshmitarëve që do të pyeten gjatë gjykimit janë persona të lidhur me subjektin politik ku Meta ushtron funksione drejtuese.

“Pushteti dhe lidhjet që i pandehuri ka krijuar për shkak të funksioneve që ka aktualisht apo ka pasur më parë, krijojnë mundësi praktike për të ndikuar tek dëshmitarët dhe për të ‘helmuar’ provat,”  thuhet në vendim.

Gjykata thekson se fakti që hetimet paraprake janë përfunduar dhe që Metës i është komunikuar akti për përfundimin e tyre nuk mjafton për të zbutur nevojat e sigurimit, pasi provat e grumbulluara në hetim marrin vlerë vetëm gjatë shqyrtimit gjyqësor.