Ndarja e papritur nga jeta e gazetarit dhe analistit të njohur Artur Zheji ka sjellë reagime në opinionin publik dhe komunitetin e medias shqiptare. Politikanë, gazetarë dhe analistë kanë shprehur dhimbjen e tyre për këtë humbje të madhe.
Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj e cilësoi Zhejin si një intelektual të spikatur dhe një zë të guximshëm në debatin publik. “Me stilin e tij unik, ai solli gjithmonë qartësi, mendim të lirë dhe reflektim të thellë. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar për median dhe shoqërinë,” u shpreh Gjekmarkaj.
Deputeti i PS, Taulant Balla, shkruan: “Shumë, shumë i trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme të gazetarit Artur Zheji. U prehsh në paqe mik!”
Deputeti Niko Peleshi e quan Zhejin mendje e mprehtë dhe zë i guximshëm: “I trishtueshëm lajmi i ndarjes së papritur dhe të padrejtë nga jeta të gazetarit dhe analistit të njohur Artur Zheji. Një mendje e mprehtë, një zë i guximshëm dhe një figurë e respektuar e medias shqiptare. Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të tij. Kujtimi për të do të mbetet i paharruar!”
Deputetja dhe shkrimtarja Flutura Açka shkruan: “Zheji, i thoje. Mjaftonte! Ndër mendjet e fundit brilante të mbrëmjeve, të medias sonë! Artur Zheji, lamtumirë, mik! Po hyn i zbarët shtatori!”
Analisti dhe gazetari Martin Leka shkruan se është pa fjalë: “Pa fjalë! Lamtumirë o Tur Zheji! Nuk ishte koha për të ikur o shoku im!”
Gazetari Blendi Fevziu, duke kujtuar bashkëpunimin e gjatë me të, shkroi: “Artur Zheji u nda nga kjo botë papritur, në kulmin e energjive dhe angazhimit publik. Bashkë me të iku një zë autoritar i medias dhe një intelektual i rrallë. U prehsh në paqe, Tur!”
“Lamtumirë, Mjeshtër!” – shkruan analisti Gentian Gaba.
Edhe gazetari Roland Qafoku reagoi me dhimbje: “Shumë i trishtuar nga ndarja nga jeta e Artur Zhejit. Padyshim është një nga emblemat e gazetarisë shqiptare pas vitit 1990, por edhe një nga mendjet më të ditura që kam njohur. Me njohuri të paana, me një sens analitik të fortë dhe një logjikë të fortë në argumentimin e fenomeve, veçanërisht ato politike, ai mbeti përherë profil i lartë. Djali i gjuhëtarit të madh Petro Zheji dhe aktores së madhe Besa Imami, me atë që bëri në media, Artur Zheji u bë një pasardhës i denjë i të dyve.
Më 4 nëntor 2024 kisha fatin ta kisha të ftuar në emisionin tim “Dekalog”. Ishte ndoshta e vetmja intervistë jete që ai ka dhënë për një media. Sa shumë kemi biseduar dhe folur! Dhe ai rrëfeu aty si rrallë herë shumë detaje për veten. Të qoftë dheu i lehtë Artur!”
Analisti Ilir Kulla ndau një kujtim personal: “Para pak ditësh pimë kafen e fundit dy orëshe me Zhejin, duke folur për planet e të ardhmes. Ja që Zoti paska pasur plane të tjera.”
Ish-deputeti Ervin Salianji, mes të tjerash, shkruan: “Jam i tronditur nga humbja e tij, i goditur nga mungesa e papranueshme e ikjes së papritur të tij. Zhejit ia doje narrativën dhe argumentin edhe në kundërshti! Shqipëria humbi sot një intelektual të madh e të rrallë, një zë të mençur e të lirë; kush e njihte humbi një mik të shtrenjtë. Ndarja e tij nuk është thjesht humbja e një gazetari apo intelektuali të spikatur, por një tronditje e madhe për hapësirën publike shqiptare, që sot mbetet më e varfër. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të paharruara dhe do të ndriçojnë edhe pas ikjes.”
Kryetari i bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, nëpërmjet një mesazhi shpreh ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit dhe e cilëson Zhejin një zë të fuqishëm:
“Ndarja e parakohshme nga jeta e gazetarit dhe publicistit Artur Zheji është një humbje e madhe për median dhe opinionin publik shqiptar. Një zë i fuqishëm i medias shqiptare dhe kontribues i rëndësishëm në debatin publik.
Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.”
Poeti Erl Kodra e vlerëson Zhejin për oratorinë dhe mendjemprehtësinë e tij: “Artur Zheji për mua ishte personaliteti më i spikatur publik; orator dhe mendimtar i mprehtë, pa kompromise; një burrë që e deshi jetën dhe e jetoi atë me gjithë pasion. Unë nuk e kam njohur nga afër, por për mua ishte kënaqësi e rrallë kur e dëgjoja në studio ose lexoja shkrimet e tij. Sot Shqipëria ka humbur një personalitetet publik të rrallë dhe burrë të mençur! Lamtumirë Artur Zheji!
Deputeti i PD, Gazment Bardhi, shkruan: “Ndarja parakohe nga jeta e Artur Zheji është një humbje e madhe për familjen, gazetarinë dhe shoqërinë shqiptare. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit të medias! U prehtë në paqe!”
Deputeti i PS-së, Bledi Çuçi, vlerëson kontributin e tij në jetën publike duke shkruar: “E trishtë ndarja e papritur nga jeta e gazetarit dhe publicistit Artur Zheji. Ishte një udhëtar i shquar në labirintet e fjalës dhe mendimit e me kontribut të çmuar në jetën publike. Ngushëllime familjes!”
Gazetari dhe shkrimtari Bashkim Hoxha sjell në vëmendje një anë dhe kontribut të panjohur të Zhejit që ka të bëjë me dramaturgjinë: “Trishtim. U nda nga jeta Artur Zheji. Ngushëllime familjes dhe miqve. Biseda e fundit që pata me të ishte për dramaturgjinë. E pyeta në se kishte ndër mend të shkruante ndonjë dramë të re. Përveçse nje erudit dhe gazetar serioz, Turi ishte edhe një dramaturg i talentuar në kërkim të thyerjes së skemave. Drama e tij RAJMONDA në vitet tetëdhjetë ishte një sukses në Teatrin Kombëtar.”
Gazetari Franko Egro shkruan: “Sa e hidhur dhe e trishtuar kjo dite. RIP!”
Përmes një reagimi publik, deputeti i PD, Luçiano Boçi, thotë se largimi nga jeta i gazetarit të mirënjohur ka lënë një boshllëk të dukshëm, jo vetëm të një figure të njohur televizive, por dhe boshllëkun e një inteligjence të mprehtë që e shihte median jo si skenë cirku, por si arenë për t’u lexuar dhe zbërthyer.
“Largimi i tij nuk është thjesht largimi i një gazetari të njohur. Është shuarja e një zëri që dinte të vallëzonte me fjalën, dinte të vendoste atë aty ku të tjerët vendosnin zhurmën e me të, të depërtonte sipërfaqen e sheshtë të gjuhës. Zheji ishte njëherazi analist, polemist, publicist, por mbi të gjitha një bohem i lirisë profesionale, drejtimi i së cilës shpesh nuk i interesonte”, – shkruan Boçi në reagimin e tij.
Elena Kocaqi shkruan se njerëzit e dobishëm për shoqërinë duhen vlerësuar sa janë gjallë: “Ngushëllime familjes dhe miqve për humbjen e parakohëshme të Artur Zhejit. Vlerësoni njerëzit e dobishëm për shoqerinë, sa i keni gjallë.”
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, mes të tjerash, thotë se Zheji ishte një personalitet dhe mendje e lirë: “Artur Zheji nuk ka qenë thjesht një gazetar i mirë. Ai ishte një personalitet i plotë i medias shqiptare, një mendje e lirë dhe e thellë, që solli gjithmonë reflektim, debat dhe kulturë në jetën publike. Me penën e tij të mprehtë dhe fjalën e qartë, ai arriti të ndërtonte ura komunikimi dhe të fitonte respektin e kolegëve dhe të publikut.” – shkruan, mes të tjerash, Duka.