Një raport i Bankës Botërore rendit Shqipërinë dhe Serbinë si dy vendet që preken më shumë nga ndryshimet klimatike. Raporti identifikon 6 rreziqet me të cilat pritet të përballet vendi ynë deri në vitin 2050. Siç duket nga ky dokument, vendi ynë rrezikohet nga vapë ekstreme vjetore me ditë të nxehta, duke sjellë pasoja në prodhimet bujqësore.

Përsa u përket zjarreve, Banka Botërore ka përcaktuar se jugu i Shqipërisë është më i rrezikuari. Nga viti në vit, Shqipëria po përjeton rritje të temperaturave me të paktën 3 gradë.

Popullsia shqiptare sipas raportit rrezikohet edhe nga përmbytjet, sidomos në zonat bregdetare. Ndryshimet klimatike pritet të kenë efekte edhe në rrjetin e transportit.

Raporti i Bankës Botërore analizon 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas së cilit rreziqet në rritje të motit, si nxehtësia ekstreme, thatësirat, përmbytjet dhe reshjet, do të kenë pasoja edhe në ekonomi. Produktiviteti i punëtorëve do të zvogëlohet, rreziqet e shëndetit në punë do të rriten, ndërsa do të ketë ndikim edhe në sektorët kryesorë ekonomikë që varen nga kushtet e motit, si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi.

Po ashtu, vendet e varura nga hidroenergia, si Mali i Zi dhe Shqipëria, sipas Bankës Botërore, do të përballen me vështirësi për shkak të rënies së ujit.