Në një mesazh zyrtar të publikuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë, theksohet rëndësia thelbësore e lirisë së shprehjes në një demokraci funksionale.

Ambasada nënvizon se shoqëritë forcohen përmes mendimit të lirë, ndërsa censura dhe kontrolli qeveritar mbi fjalën e lirë përbëjnë kërcënime serioze ndaj të drejtave themelore të njeriut.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar duke ngritur shqetësimin për kufizimin e lirisë së shprehjes në shumë vende të botës, siç dokumentohet edhe në Raportin e të Drejtave të Njeriut për vitin 2024.

 “Ne e konsiderojmë lirinë e shprehjes një përbërës themelor të një demokracie funksionale. Shoqëritë forcohen nga shprehja e lirë e mendimeve dhe censura qeveritare është e patolerueshme në një shoqëri të lirë.” -thuhet në mesazh.

Ambasada shton se qeveritë, në shumë raste, vazhdojnë të përdorin censurën, mbikëqyrjen arbitrare ose të paligjshme dhe ligje kufizuese kundër zërave që nuk u pëlqejnë, shpesh mbi baza politike ose fetare.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se ndalimi apo ndëshkimi i fjalës së lirë nuk sjell zgjidhje, por përkundrazi e përkeqëson klimën shoqërore.