Në fokus të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byros Kombëtare të Hetimit (BKH) janë dy ngarkesa të mëdha kokainë, me sasi totale mbi 28 ton, të trafikuara nga Paraguaji drejt portave të Anversit në Belgjikë dhe Hamburgut në Gjermani.

Hetimet, që vijojnë prej vitit 2023, zbulojnë një rrjet kriminal ndërkombëtar ku përfshihen shqiptarë me precedentë të rënda penalë. Mes tyre janë dy vëllezërit Ervis dhe Ardjan Cela, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana dhe autoritetet italiane për veprën penale të vrasjes dhe mbajtjes personi. Ervis Cela është dënuar me 30 vite burg, ndërsa pjesa e mbetur e dënimit është 25 vite e 10 muaj.

Dosja përfshin edhe arrestimet e dy shqiptarëve në Holandë në vitin 2020, Muharrem Daja dhe Nilson Bakiu, të kapur me 600 kg kokainë dhe 2 milionë euro cash. Ata janë dënuar me nga 5 vite burg për trafik droge.

Hetimet janë bazuar edhe në analizën e qindra mijëra mesazheve të sekuestruara nga aplikacioni i koduar SKY ECC, që zbulojnë komunikime të detajuara mes trafikantëve për sasi të mëdha parash dhe bashkëpunime ndërkombëtare. Në biseda flitet edhe për trafikun e armëve të zjarrit, ku armët automatike me silenciatorë janë fshehur në kanaçe për t’u kontrabanduar.

Grupi kriminal dyshohet të ketë bashkëpunuar edhe me shtetas brazilianë, duke i dhënë kështu një dimension global veprimtarisë së tij.

Hetuesit po vazhdojnë punën për kapjen dhe ndëshkimin e të gjithë të përfshirve në këtë rrjet kriminal, i cili përbën një nga operacionet më të mëdha të trafikut të drogës në historinë e fundit në Shqipëri dhe rajon.