Më 31 mars 2023 mbushen 100 vjet nga lindja e shkencëtarit të Iktiologjisë shqiptare,
professor Ndoc Rakaj.
Ndoci u lind më 31 mars 1923 në Shirokë. Liqeni i Shkodrës, i madh, i bukur, aq i gjallë,
përcaktoi rrugën e jetës të shkencëtarit të ardhëshëm. Pas përfundimit të shkollës së mesme, më 1946 Ndoci zgjidhet në detyrën e kryetarit të Ekonomisë së Kooperuar të Peshkatarëve të Liqenit të Shkodrës dhe, në vijim, kryetar i Degës së Prodhimit në Komitetin e Përgjithshëm të Ekonomive të Kooperuara (Tiranë), çka i mundëson të njohë peshkimin në shumë rrethe të Shqipërisë (Durrës, Lezhë, Vlorë,
Pogradec, etj).
Më 1948 Ndoci ndodhet për studime të larta në Moskë, në Institutin (sot Universitet) e
Lartë të Teknologjisë dhe Ekonomisë së Peshkimit, ku diplomohet në “Iktiologji dhe
Kulturën e Peshkut”. Në fund të viteve ’50, në këtë Institut Ndoci do të jetë përsëri për
një vit për studime pasuniversitare.
Pas kryerjes së studimeve të larta dhe kthimit në Shqipëri, nis rrugëtimi shkencor dhe
aplikativ i Ndoc Rakaj, në fushën e ekonomisë së peshkimit: përgjegjës i Sektorit të
Studimeve për Hidrobiologjinë dhe Peshkimin në Institutin e Shkencave (1953-1954);
kryespecialist i Ndërmarrjes Kombëtare të Peshkimit (1955-1958); drejtor i Stacionit (më
pas Institut) të Studimeve të Peshkimit Durrës (1958-1960), ku kontribuoi për studimin
dhe aplikimin e metodave dhe teknologjive të reja për vënien e ekonomisë së peshkimit
në baza shkencore; kryespecialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Peshkimit në Ministrinë
e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore (1960-1971); kryeinxhinier i Ndërmarrjes
Kombëtare të Peshkimit (1971-1972); Përgjegjës i Sektorit të Studimeve të Peshkimit në
Institutin e Teknologjisë Ushqimore (1972-1974); përgjegjës i Sektorit të
Eksperimentimit të Peshkut në Laknas-Kamëz (1974-1982); drejtues i Temës Studimore
Qeveritare “Iktiofauna e Shqipërisë” (1982-1988). Gjithashtu profesor Ndoci ka qenë antar i këshillave shkencorë në disa institute kërkimorë-shkencorë (Instituti i Shkencave, Instituti i Kërkimeve Biologjike, Instituti i Hidrometereologjisë) dhe i Kolegjiumit të
Ministrisë së Industrisë Lehtë dhe Ushqimore.
Gjatë jetës së tij Ndoc Rakaj studjoi dhe aplikoi:
– Bioteknologjitë e shtimit dhe të rritjes së drejtuar të koranit dhe belushkës në
Tushemisht, Pogradec (1959-1960)
– Metodat dhe teknikat e gjuetisë me mjete stacionare në bregdet dhe në Liqenin e
Shkodrës (1950-1960)
– Përhapja e sardeles dhe dinamika e shtimit, ushqimit dhe lëvizjes së saj sipas periudhave
kohore dhe kuadrateve hapsinore detare.
– Aplikoi për herë të parë metodën dhe teknikat e gjuetisë me elektrolinja për peshkimin e
sardeles në ujrat detare dhe gjucës dhe cironkës në ujrat e ëmbla (1956-1965), çka
shumëfishoi prodhimin dhe është “Patentë shqiptare”, e njohur dhe e zbatuar si e tillë
edhe jashtë vendit
– Ndërtimin e ekonomive të para dhe realizimin e bioteknologjive të rritjes së drejtuar të
koranit në Tushemisht, Pogradec (1959-1960), të troftës në “Syrin e Kaltër” Bistricë
(Delvinë) dhe në Lin, Pogradec (1970), të krapit në Kavajë (1960-1965) dhe në Laknas-
Breglum, Tiranë (1956 dhe 1968-1970)
– Aklimatizimin e peshqëve bar-e-plankton-ngrënës dhe pastrimin nëpërmjet polikulturave
të ujrave me ndotje organike, çka gjithashtu është “Patentë shqiptare”- për herë të parë metodën dhe teknikat bioteknologjike të shtimit të troftës dhe të aplikimit në lagunat të metodave dhe teknikave të reja të rindërtimit të dajlaneve (1970).
Veprimtaria shkencore e profesor Ndoc Rakaj është pasqyruar në një sërë botimesh, si
monografitë:
Shtimi dhe Rritja e Troftave (1971); Rritja e Peshkut (1977); Bioteknologjia e shtimit dhe e rritjes së peshqëve bar & plankton-ngrënës (1977);Biologjia dhe teknika e peshkimit të sardeles (1978)
Iktiofauna e Shqipërisë, detare dhe e ujrave të ëmbla (700 f., 1995); Harta biogjeografike e iktiofaunës së Shqipërisë (1998); Shtimi dhe rritja e drejtuar e peshqëve përmirësues biologjikë (2003);
Metodika e studimeve iktiologjike dhe e përcaktimit të rezervave peshkore (2003);
si dhe 7 tekste mësimorë për Zookulturën, Kulturën e Peshkut, Iktiologjinë për shkollat e
larta dhe të mesme dhe mbi 20 artikuj me qindra e qindra faqe botuar në organet e
specializuara të vendit, por edhe jashtë (Francë, Angli, Gjermani, Rusi, etj), si: “Biologjia
e sardeles dhe peshkimi me metodën elekrolinjë” (Ribnohozjajsvo, Moskë, Rusi, 1965);
“Mjedisi dhe dinamika e faunës ujore në Shqipëri” (Ecological Journal, Hollandë, 1996);
“Iktiofauna e ujrave të ëmbla, peshqit endemikë dhe të rrezikuar të Shqipërisë” (Oxford
University Journal of Biological Sciences, Angli, 1997); “Zbulimi i subspecies Alosa
Agone në burimet e Sheganit, Liqeni i Shkodrës” (Bulletin de Biologie des Poissons,
Paris, Francë, 2002), po ashtu referime në kongrese, konferenca, simpoziume kombëtare
dhe ndërkombëtare.
Studiuesit e huaj referencë studimeve të Prof. Rakaj
Shumë studjues dhe shkencëtarë të huaj (të FAO-s, Italisë, Francës, Britanisë,
Gjermanisë, Kroacisë, Greqisë, Suedisë, etj) kanë cituar studimet e profesor Ndoc Rakaj
në referencat e botimeve shkencore dhe kanë vlerësuar figurën shkencore të tij.
Duke qenë bashkautor i Fjalorëve Enciklopedikë të Biologjisë dhe Bujqësisë, si dhe i disa
fjalorëve themelorë të Gjuhës Shqipe, Ndoci dha një kontribut të madh në terminologjinë
shqipe në fushat e Detarisë, Peshkimit dhe Iktiologjisë, duke evidentuar pasurinë e madhe
gjuhësore iliro-shqiptare.
Vepra vëllimore “Iktiofauna e Shqipërisë” (1995), së bashku me “Harta biogjeografike e
iktiofaunës së Shqipërisë” (1998), kurorëzojnë më së miri një jetë përkushtuar thellësisht
shkencës dhe vendit të tij.
Gjatë jetës së tij Ndoc Rakaj ka qenë profesor “i jashtëm” në Universitetin Bujqësor të
Tiranës, duke qenë hartues i tekstit universitar “Kultura e Peshkut” dhe udhëheqës i
shumë diplomave; pedagog “i jashtëm” në Akademinë Ushtarake të Marinës (Vlorë) në
disiplinat e “Detarisë” dhe të “Peshkimit”; udhëheqës i disertantëve dhe drejtues i Kursit
të Kualifikimit Shkencor Pasuniversitar në fushat e Iktiologjisë dhe të Kulturës së
Peshkut; nismëtar i arsimit të mesëm në ekonominë e peshkimit, i hapjes së Shkollës së
Mesme të Peshkimit Durrës dhe hartues i teksteve mësimorë për shkollat e mesme në
fushat përkatëse të peshkimit dhe zooveterinarisë; organizues i “arsimimit në vazhdim” të
kuadrove dhe specialistëve të Ekonomisë së Peshkimit.
Gjithashtu profesor Ndoc Rakaj ka kontribuar në ngritjen dhe pasurimin të Pavionit të Iktofaunës të Muzeut të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, me vlera të mëdha shkencore dhe didaktike.
Profesor Ndoc Rakaj ka qenë zgjedhur antar i disa forumeve drejtuese dhe organizatave
shkencore ndërkombëtare, si psh, në vitet 1971-1975 është antar i Komitetit Evropian të
Iktiologjisë; që më 1994 antar i Shoqatës Ndërkombëtare Frankofone të Iktiologjisë
(CIBIUM); që më 1996 antar i Shoqatës Gjermane të Iktiologjisë.
Ndoc Rakaj që në fillimet e angazhimit në fushën e Ekonomisë së Peshkimit u shfaq një
kuadër i ndershëm, serioz, patriot, dashamirës, i përkushtuar, kërkues, këmbëngulës, i
saktë, që asnjëherë nuk “kurseu veten” për të arritur objektivat shkencorë dhe praktikë.
Puna, studimi dhe kërkimi shkencor në institucione shkencore dhe administrative, në
shkolla dhe universitete, ku Ndoc Rakaj bashkoi studimin, kërkimin, praktikën, shkencën
me aplikimin, mësimdhënien me shkrimin dhe botimin, duke krijuar një vepër të madhe
shkencore dhe praktike njëkohësisht, duke e bërë Ndocin iktiologun më të shquar
shqiptar, me gradat shkencore dhe vlerësimet e larta si “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe
i Teknikës”, “Profesor”, “Mjeshtër i Madh i Punës”, personalitet i cituar dhe i respektuar
në shkencën botërore.
Veprimtaria profesionale e Ndoc Rakaj, gjer sa u nda nga jeta më 9 shkurt 2006, njohu
vetëm intensitet të lartë dhe rritje, duke krijuar korpusin origjinal më të dalluar në
Iktiologjinë shqiptare.
Prof. Angjelin Shtjefni
Gjergj Ndoja