Kapja e personit në kërkim Flodian Plaku, është realizuar në ambjentet e Hotel “Doko” në Radhimë të Vlorës, teksa ai po qëndronte me mikun e tij, Julian Aliaj.

Një skuadër operacionale e Policisë së Shtetit e koordinuar nga prokurori i Tiranës, Ridvan Suka, mundën të lokalizonin personin e dyshuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas në zonën e Orikumit.

Skuadra është përqëndruar në Orikum, për një periudhë kohe prej 4 muajsh, duke mos arritur ta shquajnë në asnjë moment siluetën e Plakut, megjithëse përgjimet e miqve dhe familjarëve të tij që i dërgonin për të ngrënë tregonin se ai ishte në zonë.

Por ditën e djeshme në 3 gusht 2025, në adresë të Flodian Plakut, niset një berber nga Vlora.

Berberi ishte porositur nga miqtë e Plakut, për të shkuar në ambjentet e një hoteli në Radhimë, i quajtur hotel “Doko”.

Agjentët e operacionales kanë ndjekur me përpikmëri berberin, i cili ka hyrë në ambjentet e hotelit, për të qethur Flodian Plakun.

Veprimet e Berberit janë ndjekur nga një çift operacional edhe pasi ka mbaruar punë me qethjen e Flodian Plakut.

Pasi janë bindur për vendodhjen e tij, është kërkuar ndërhyrja e një njësie të repartit RENEA, të cilët hynë BLIC në ambjentet e hotel DOKO në Radhimë, duke mundësuan arrestimin e tij pa bërë asnjë reagim.

Gjatë kontrollit të dhomës ku qëndronte Flodian Plaku, u gjetën dy pistoleta.Ndërsa bashkë me të u arrestuar dhe Julian Aliaj për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

Julian Aliaj, tashmë është proceduar për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”, duke u ndjekur çështja nga prokuroria e Vlorës.

Ndërsa Flodian Plaku është transferuar në Tiranë, ku pritet të dalë para gjykatës së kryeqytetit, ku do njihet me masën e “arrestit në burg”, pasi akuzohet si një nga personat që kanë ekzekutuar ish-policin e burgjeve njëherësh mikun e Ervis Martinaj, Gentjan Bejtja.

Për këtë ngjarje më parë u arrestuan dhe dënuan për akuzën e “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”, me dy vite burgim Edison Haxhiaj.

Ndërsa në proces gjykimi përfundimtar është miku i tij Ilirjan Brahimi, ky i fundit kunati i Roan Brahimi.

Nga ana tjetër mësohet se Julian Aliaj më parë është arrestuar në vitin 2019 në Itali për trafik droge, si anëtar i bandës kriminale të drejtuar nga Flodian Plaku i njohur si “Pole Qorri”.

Edhe Plaku në atë kohë u arrestua asokohe për të njëjtin krim.

Gomonet me kanabis ngarkoheshin në Shqipëri dhe dërgoheshin Brindizi. Droga nëpërmjet korrierëve shpërndahej nga Puglia drejt Romës, Napolit, Milanos dhe Firenzes.