Ditën e sotme SPAK thirri ish-presidentin Ilir Meta për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve, 9 muaj pas arrestimit të tij.

Avokati i tij Kujtim Cakrani kërkoi disa ditë kohë, me argumentin se është me pushime, ndërkohë kreu i PL- përmes një reagimi në rrjete sociale shprehet se nuk ka pasur ndonjë shkresë zyrtare nga SPAK.

Meta pretendon se ai është njoftuar mëngjesin e sotëm nga gardiani i burgut, teksa thekson se avokati i tij nuk ndodhet në Shqipëri.

”Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur”, shkruan ndër të tjera Meta.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian i IEVP “Jordian Misja” më komunikoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin te SPAK, pa dhënë asnjë lloj sqarimi.

U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian.

Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur.

Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme:

ZERO fakte penale!

ZERO prova penale!

ZERO akte dhe vendime të paligjshme!

ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit!

ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit!

ZERO pasuri të paligjshme!