Situata nga zjarret në jug të vendit mbetet kritike. Në Borsh, Piqeras dhe Sasaj ka rinisur ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore, në përpjekje për të neutralizuar flakët që po kërcënojnë banesat dhe bizneset e zonës.

Era e fortë gjatë orëve të para të mëngjesit ka favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarreve, duke përkeqësuar situatën.

Gjatë natës, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura të stacionuara në Borsh kanë siguruar perimetra mbrojtëse përreth zonave të banuara.

Policia e Shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile kanë asistuar në evakuimin e banorëve dhe pushuesve, duke shoqëruar në siguri 40 persona nga zonat më të rrezikuara.

Zjarrfikësit e Himarës dhe Forcat e Armatosura vijojnë operacionin në terren duke bashkërenduar me ekuipazhet e helikopterëve për të eliminuar çdo rrezik.