Shëndet më i mirë fizik dhe mendor, produktivitet më i lartë dhe kënaqësi më e madhe në punë të gjitha këto, pa asnjë ulje në pagë. Ky është përfundimi i studimit më të madh të realizuar ndonjëherë mbi javën e punës me katër ditë, i publikuar në revistën prestigjioze Nature Human Behavior.

Studimi përfshiu pothuajse 2,900 punonjës nga 141 kompani në Australi, Zelandën e Re, SHBA, Kanada, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilët morën pjesë në një program pilot të organizuar nga nisma jofitimprurëse 4 Day Week Global. Kompanitë pjesëmarrëse kaluan në një orar pune 80% më të shkurtër, duke ruajtur pagat e plota dhe përmes ndihmës së trajnerëve ekspertë, riorganizuan rrjedhat e punës duke eleminuar praktikat joefikase si takimet e panevojshme.

Frika se puna në më pak ditë do të sillte stres shtesë apo vonesa në përmbushjen e detyrave rezultoi e pabazuar. Shkencëtarët nuk gjetën asnjë provë që të mbështesë këtë shqetësim – përkundrazi, përfitimet ishin të dukshme.

Pas gjashtë muajsh, punonjësit raportuan vetë rritje të ndjeshme të produktivitetit dhe përmirësim të ndjeshëm të mirëqenies së tyre mendore e fizike. Ata ndiheshin më të kënaqur në punë dhe më pak të lodhur. Krahasuar me kolegët në kompanitë që kishin hequr dorë nga pjesëmarrja në program, rezultatet ishin dukshëm më pozitive.

Sipas autorëve të studimit, përmirësimi i shëndetit lidhet ngushtë me sasinë dhe cilësinë më të mirë të gjumit, më pak lodhje dhe ndjesinë se mënyra e punës ishte bërë më kuptimplote dhe më pak rraskapitëse.