Shtetet e Bashkuara janë shumë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje tregtare me Indinë dhe një marrëveshje e ngjashme me Bashkimin Evropian mund të arrihet, tha presidenti amerikan, Donald Trump në një intervistë radiofonike në Real America’s Voice.

I pyetur për rastin e Kanadasë, Trump tha se ishte “shumë herët për të folur për këtë”.

Presidenti amerikan theksoi se administrata e tij po negocion me partnerët tregtarë për të arritur kushte më të favorshme për Shtetet e Bashkuara dhe për të zvogëluar deficitin tregtar. Bisedimet pritet të përfundojnë deri më 1 gusht, kur tarifat për shumicën e importeve amerikane mund të rriten përsëri.

“Ne jemi shumë afër me Indinë dhe mund të arrijmë një marrëveshje me BE-në”, tha Trump.

Komentet e Trump erdhën ndërsa Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, udhëtoi për në Uashington të mërkurën për të diskutuar tarifat, ndërsa një delegacion indian mbërriti në Uashington të hënën për raunde të reja bisedimesh.

“Bashkimi Evropian ka qenë i ashpër, por tani ata janë shumë të mirë. Ata duan të bëjnë një marrëveshje dhe do të jetë shumë ndryshe nga ajo që kemi pasur për shumë vite”, shtoi Trump.

I pyetur në lidhje me perspektivat e një marrëveshjeje tregtare me Kanadanë, e cila, ashtu si BE-ja, po përgatit kundërmasa nëse negociatat dështojnë, Trump tha: “Është shumë herët për të folur për këtë.”

Ai tha gjithashtu se po shqyrtonte vendosjen e një tarife të përgjithshme prej 10% ose 15% për vendet më të vogla.

Presidenti fillimisht kishte njoftuar vendosjen e tarifave prej 27% për produktet indiane më 2 prill, si pjesë e një politike më të gjerë tregtare. Edhe pse tarifat fillimisht u pezulluan deri më 9 korrik, SHBA-të më pas e zgjatën afatin deri më 1 gusht.

Deri vonë, SHBA-të ishin partneri më i madh tregtar i Indisë, me tregtinë dypalëshe që arriti në 190 miliardë dollarë. Trump dhe Modi kanë vendosur një qëllim për ta dyfishuar këtë shumë në 500 miliardë dollarë.