Gjyqi i një mjeku gjerman i akuzuar për vrasjen e 15 pacientëve nën kujdesin e tij duke përdorur një koktej vdekjeprurës qetësuesish dhe për vënien e zjarrit në disa shtëpi që u përkisnin viktimave të tij në një përpjekje për të mbuluar krimet e tij ka filluar në Berlin, siç raportohet nga gazeta britanike The Guardian.
Prokurorët e akuzuan të pandehurin 40-vjeçar për 15 akuza për “vrasje me dashje” me “motive të tjera të liga”, duke kërkuar një dënim me burgim të përjetshëm, i cili në Gjermani zakonisht arrin në 15 vjet burg.
Qëllimi i tyre është që gjykata shtetërore e Berlinit të provojë “fajësinë e tij veçanërisht serioze”, gjë që do të rezultonte në paraburgimin parandalues të mjekut edhe pas vuajtjes së dënimit, si dhe në një ndalim të përjetshëm nga ushtrimi i profesionit të mjekut.
Ndërsa filloi gjyqi të hënën, prokurori Philipp Meyhöfer tha se mjeku organizoi vizita në shtëpi me qëllim vrasjen e pacientëve të tij “pa dijeninë ose pëlqimin e tyre” duke përdorur “një përzierje vdekjeprurëse të barnave të ndryshme”.
“Ai veproi me indiferencë ndaj jetës dhe u soll si zot i jetës dhe i vdekjes”, i tha Meyhöfer gjykatës.
Dy nga vrasjet besohet se kanë ndodhur në të njëjtën ditë në vitin 2024. Doktori u arrestua gushtin e kaluar.
Autoritetet po hetojnë ende dhjetëra vrasje të tjera të dyshuara, të cilat mund të jenë kryer nga i pandehuri, i cili është identifikuar vetëm si Johannes M. në përputhje me rregullat e privatësisë në Gjermani.
Si veproi mjeku?
Mjeku punonte për një shërbim celular që ofronte kujdes në shtëpi për pacientët në fazë terminale. Viktimat e tij të dyshuara – 12 gra dhe tre burra – ishin të moshës nga 25 deri në 94 vjeç dhe vdiqën midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024.
Besohet se ai u dha pacientëve anestetikë dhe relaksues muskujsh, duke neutralizuar muskujt në mushkëri dhe duke çuar në mbytje brenda pak minutash. Ndërsa të gjithë ishin të sëmurë rëndë, asnjëri nuk pritej të vdiste menjëherë.
Një koleg filloi të dyshonte kur të paktën pesë nga pacientët e Johannes M. dyshohet se vdiqën në zjarre, duke bërë që autoritetet të nisnin një hetim penal.
Zyra e prokurorit të Berlinit tha se 70 raste të tjera që potencialisht lidhen me të pandehurin ishin ende duke u hetuar, përfshirë vdekjen e vjehrrës së tij në Poloni në fillim të vitit 2024. Ajo vuante nga kanceri.
Të pandehurit iu mohua mundësia për t’iu drejtuar gjykatës kur filloi gjyqi i tij, si dhe një vlerësim psikiatrik.
Motivi i tij i dyshuar mbetet i paqartë.
Gjyqi është planifikuar të zgjasë të paktën deri në fund të janarit 2026, me rreth 150 persona që pritet të thirren si dëshmitarë, raportoi agjencia e lajmeve DPA. Trembëdhjetë të afërm të viktimave të mjekut kanë thënë se mbështesin akuzat kundër tij.
Rasti të kujton atë të infermierit gjerman Niels Högel, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2019 për vrasjen e 85 pacientëve nën kujdesin e tij me injeksion vdekjeprurës midis viteve 2000 dhe 2005. Högel shpesh përshkruhet si “vrasësi serial më i frytshëm i Gjermanisë së pasluftës”./