Policia Bashkiake e Tiranës iu ka bërë thirrje tregtarëve ambulantë që të respektojnë urdhrat ligjorë dhe të zhvendosin aktivitetin në tregjet publike të qytetit.

Në të kundërt sipas Policisë Bashkiake “do të ndërmerren të gjitha masat ndëshkuese të parashikuara në legjislacionin në fuqi”.

“Shëndeti publik dhe rendi qytetar janë përparësi!”, thekson policia bashkiake.

Siç njoftoi Policia Bashkiake sot “gjatë kontrolleve të përditshme në territorin e Tiranës, strukturat e Policisë Bashkiake kanë konstatuar praninë e tregtarëve të palicensuar në rrugë, trotuare dhe hapësira publike. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme sensibilizuese dhe masave të marra, një pjesë e tyre vijojnë të ushtrojnë aktivitet në mënyrë të paligjshme”.

Sipas policisë bashkiake këto aktivitete “zënë pa leje hapësira publike, duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe shesin shpesh produkte ushqimore përtokë, në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare. Sidomos në këtë periudhë me temperatura të larta, produktet ushqimore të tregtuara në rrugë përbëjnë rrezik real për shëndetin e qytetarëve, duke rritur mundësinë e helmimeve apo infeksioneve ushqimore”.

Policia Bashkiake nënvizon se zgjidhja është e thjeshtë dhe pa kosto!

“Agjencia për Administrimin e Tregjeve ka vënë në dispozicion tregje publike dhe të lëvizshme në çdo lagje të kryeqytetit, ku çdo qytetar mund të: Regjistrohet pa pagesë; Tregtojë në kushte të sigurta, të rregullta dhe të ligjshme”, njoftoi policia.