Vala e të nxehtit që ka prekur miliona evropianë duket se po dobësohet sot në Francë dhe Itali, por po lëviz drejt lindjes dhe në Gjermani.
Dje, të martën, në Francën jugore termometri tregoi 42° Celsius, ndërsa në Paris arriti në 40° Celsius. Megjithatë, sot alarmi i kuq mbetet në fuqi vetëm në katër rajone në Francën qendrore.
Në Italinë qendrore dhe jugore, një valë e të nxehtit ka vazhduar të përvëlojë, duke vrarë një punëtor ndërtimi 47-vjeçar në Bolonjë. Dy punëtorë që po riparonin një rrugë jashtë qytetit të Viçencës u rrëzuan nga nxehtësia dje pasdite dhe u dërguan në spital, ku po trajtohen.
Sot është radha e Gjermanisë të përballet me temperatura ekstreme, me termometrin që pritet të arrijë 38° Celsius në Berlin.
I nxehti po mbizotëron edhe në Belgjikë me më shumë se 35° Celsius, me Atomiumin, strukturën ikonike në Bruksel, që mbetet e mbyllur për vizitorët deri më sot për shkak të temperaturave të larta.
Shkollat në Francë që nuk kanë ajër të kondicionuar po mbyllen
Edhe pse valët e të nxehtit nuk janë asgjë e re pas dekadash përdorimi të tepruar të qymyrit, naftës dhe gazit natyror, të cilat janë përgjegjëse për ngrohjen globale, valët e të nxehtit vërehen gjithnjë e më shumë në fillim të verës dhe shpesh zgjasin deri në fillim të vjeshtës, duke ndikuar, ndër të tjera, në funksionimin e shkollave.
Në Francë, mungesa e ajrit të kondicionuar në klasat e shkollave ka shkaktuar polemika politike, me Tubimin Kombëtar (të djathtën ekstreme) që bën thirrje për zhvillimin e një plani.
Gati 1,900 shkolla në Francë që nuk kanë pajisje për luftimin e nxehtësisë mbetën të mbyllura dje, rreth 3% e totalit. Në të tjera, mësimi po mbahet në oborr.
Në Roterdam të Holandës, shkollat u mbyllën herët dje, ndërsa në Gjermani ekziston mundësia e “hitzefrei”, një pushim shkollor për shkak të nxehtësisë së tepërt që u fut në shekullin e 19-të.
Parqet hapen natën, kujdes i shtuar për më vulnerabëlët, orar i zgjatur i pishinave: qyteti i Parisit aktivizoi dje nivelin 4 – më të lartin – të planit të tij për t’u përballur me valën e të nxehtit.
Dy të vdekur nga vala e të nxehtit në Spanjë
Edhe Spanja, një vend ku kondicionimi i ajrit është më i përhapur, po mbytet nga vapa. Sot temperatura do të mbetet në nivele veçanërisht të larta, megjithëse do të ketë edhe stuhi.
Në provincën e Lleidës në Katalonjë, në pjesën verilindore të vendit, zjarrfikësit njoftuan se kishin zbuluar dy trupa pas shpërthimit të një zjarri.
Disa orë më parë, gjithashtu në Katalonjë, policia tha se një djalë 2-vjeçar, i cili ishte lënë në një makinë të parkuar në diell, kishte vdekur.
Ata “skuqin vezë” në asfaltin e Seviljes
Në Madrid, “të gjithë po flasin për vapën”, tha 62-vjeçari Carlos Alberto Olivares, i cili shet gazeta nga një kioskë metalike, ku temperatura është shumë mbi 36° Celsius, temperatura e regjistruar dje në kryeqytetin spanjoll.
“Tani është si furrë dhe në dimër si frigorifer”, shpjegon ai.
Korriku sapo ka filluar, por rrjeti televiziv Canal Sur e ka mbajtur traditën vjetore dhe ka arritur të skuqë një vezë duke e vendosur në asfalt në një rrugë në Sevilje.
Do të duhen muaj për të vlerësuar numrin e vdekjeve të shkaktuara nga nxehtësia, por valët e nxehtësisë së viteve 2022 dhe 2023 shkaktuan 70,000 dhe 61,000 vdekje të parakohshme në Evropë, sipas një studimi./ kohajuaj