Një aksident i rëndë me bilanc një të vdekur dhe 3 të plagosur ka ndodhur mesditën e sotme në Fushë-Krujë.

Dy automjete tip “Mercedes” janë përplasur e për pasojë është regjistruar bilanci tragjik. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Borizanës.

Viktima është pasagjere në një prej mjeteve ku mbetën të plagosur shoferi dhe një grua tjetër, të tre familjarë mes tyre. Në makinën tjetër ishte në timon një grua.

Nga hetimet paraprake të kryera nga Policia Rrugore në vendngjarje, rezulton se Malvina Kani është drejtuesja e njërit prej mjeteve, e cila është përplasur në dinamikë ende të paqartë me mjetin tjetër që drejtohej nga Idriz Saja, me të cilin udhëtonin dhe Lindita Saja dhe Bedrie Saja.

Për pasojë ka humbur jetën në vend Bedrie Saja, ndërsa të tjerët janë nisur për në Spitalin e Traumës, pasi disa prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Policia vendore ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e shkaqeve, nëse ka qenë shpejtësia, parakalimi i gabuar dhe pakujdesia e një prej shoferëve që solli bilancin tragjik.