Ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati tha në emisionin Now në Euronews Albania se kontributi i tij për PS, si familja e tij politike, nuk do të mungojë sa herë të kërkohet.
Bushati e cilësoi vendimmarrje personale të kryetarit të PS Edi Rama atë për të mos e përfshirë në zgjedhjet e 2021 apo për ta larguar nga kryesia, ndërsa theksoi se pavarësisht kësaj nuk ndërmend të bëjë asnjë kapërcim politik.
“Unë jam i ri për t’i thënë lamtumirë politikës, ka qenë një vendimmarrje e kryesisë së partisë për të mos më përfshirë në zgjedhjet e 2021.
Ka qenë gjithashtu vendimmarrje e tij për të më larguar nga kryesia e PS. Spaletat janë të rëndësishme, por jo aq sa karakteri i njeriut.
Unë jam aty ku kam qenë gjithmonë, nuk është se kam ndërruar organizatë politike. Unë jam njëri që preferoj të shoh përpara duke reflektuar se çfarë ka ndodhur pas, por nuk i kam vlerësua kurrë kolegët që kanë bërë kalime nga njëra parti te tjera sepse më janë dukur si lojtarët që ndërrojnë fanelat nga një klub në një tjetër.
Kam menduar se kjo është familja politike që i përkas, me të mirat me të këqijat. Kam menduar se disa gjëra duhen thënë në atë familje dhe jashtë.
S’i kam rënë njeriu me gurë dhe për sa kohë ë kem energji do vazhdoj të jap kontributin tim aq sa mundem”, tha Bushati.
Ai komentoi dhe replikat në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit britanik, Nigel Farage, i cili është shprehur se shqiptarët në Britaninë e Madhe janë aktorë kryesorë në kriminalitet, duke pretenduar se 1 në 50 shqiptarë në territorin anglez, janë në burg.
Bushati e cilësoi të papranueshme justifikimin që politikanë britanikë apo të tjerë i bëjnë gjendjes së vendi të tyre duke i asociuar shqiptarët me krimet.
Por nga ana tjetër theksoi ai, kombit britanik “nuk do t’i bëjë punë që një politikan nga Shqipëria t’i tregojë për Brexit”.
“Nuk i di arsyet pse po zhvillohet kjo lloj replike në distancë. Farage dhe shumë të tjerë në Mbretëri të B Bashkuar por edhe në kryeqytete të rëndësishme të Evropës në momente të caktuara përpiqen të justifikohen me elementin shqiptar, duke i asociuar me vepra kriminale dhe kjo është totalisht e papranueshme.
Në këtë pikë çdo qëndrim që mund të vijë nga kryeministrin apo autoritete të tjera të shtetit shqiptar ka gjithë mbështetjen time, pavarësisht se kjo mbështetje mund të mos hyjë fare në pune.
Nga ana tjetër mendoj që nuk është e nevojshme t’i kujtojmë ne Mbretërisë së Bashkuar në rast se po jeton një moment të errët pas BREXIT. Kjo është një çështje e brendshme e britanikëve. Kombit britanik nuk mendoj që do t’i bëjë punë që një politikan nga Shqipëria t’i tregojë për Brexit”, tha Bushati.