Festimet për dasmën e shekullit midis Jeff Bezos dhe partneres së tij Lauren Sanchez fillojnë sonte (e enjte, 26 qershor) me një aktivitet në natyrë në ambientet e kishës mesjetare Madonna dell’Orto në lagjen Cannaregio, sipas një burimi të cituar nga Reuters.
Bashkia e Venedikut ka nxjerrë një vendim për të bllokuar zonën, me qëllim mbrojtjen e mysafirëve nga protestat e aktivistëve, të cilët prej javësh janë ankuar se qyteti po shndërrohet në një park argëtimi privat për të pasurit.
Të mërkurën, më 25 qershor, Jeff Bezos dhe e fejuara e tij, Lauren Sanchez, mbërritën në Venecia përpara dasmës së tyre, e cila ka shkaktuar reagime të ashpra nga banorët. Çifti u pa duke dalë nga hoteli Aman Venice në Kanalin e Madh, ku do të qëndrojnë dhe do të mirëpriten shumë nga të ftuarit.
Sipas Reuters, rreth 90 avionë privatë pritet të ulen në aeroportet e rajonit këto ditë, duke transportuar personazhe të famshëm nga politika, argëtimi dhe biznesi për “dasmën e shekullit”, siç po quhet tashmë eventi laik. Kostoja totale vlerësohet të jetë midis 46-56 milionë dollarë.
«Tani gjithçka që ka rëndësi janë paratë, paratë, paratë, dhe ne jemi humbësit», tha Nadia Rigo, një banore e Venedikut. «Ne që kemi lindur këtu ose duhet të shpërngulemi në kontinent ose të kërkojmë leje për të hipur në një varkë. Ata janë bërë zotërinj», shtoi ajo, duke folur për Reuters.
Mes kësaj klime reagimi, guvernatori rajonal i Venetos, Luca Zaia, zbuloi se çifti kishte dhuruar tre milionë euro për tre organe lokale. CORILA (një konsorcium akademik që studion ekosistemin e lagunës), zyrën lokale të UNESCO-s dhe Universitetin Ndërkombëtar të Venedikut. “Mirë se vini në Venecia, Jeff,” tha Zaia, duke i falënderuar ata për këtë “gjest bujarie të jashtëzakonshme”.
Shumica e rreth 250 të ftuarve pritet të mbërrijnë në Venecia në kohë për eventin e dytë, i cili, sipas një burimi të Reuters, është planifikuar të mbahet të premten, më 27 qershor, në ishullin e San Giorgio-s, përballë Sheshit të Shën Markut. Atje ndodhet Fondacioni Cini, i njohur për organizimin e takimeve ndërkombëtare kulturore dhe politike në manastirin e shekullit të 11-të, i cili është i rrethuar nga një labirint kopshtesh.
Për të mbrojtur mysafirët nga sytë kureshtarë dhe fotografët, një tendë me mure anësore u ngrit në një platformë lundruese në hotelin Aman Venice. Festimet do të kulmojnë të shtunën me pritjen e dasmës, e cila do të mbahet në një sallë të Arsenale – një ish-kantier detar mesjetar që tani funksionon si një hapësirë arti në lagjen lindore Castello. Vendndodhja u zgjodh sepse është e rrethuar nga uji dhe është plotësisht e izoluar kur urat ngrihen, duke e bërë atë më të sigurt se projekti i mëparshëm, i cili kërkonte një shkollë të vjetër fetare në Cavnareggio./kohajuaj