Gjatë fluturimit me Air Force One për në Holandë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s të martën (24/6), Donald Trump u pyet nga gazetarët nëse ai është i përkushtuar për të mbrojtur vendet e NATO-s në përputhje me Nenin 5 , gurthemeli i Aleancës, i cili përcakton se një sulm ndaj një shteti anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.

Presidenti amerikan Trump ka vënë në pikëpyetje angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur aleatët e NATO-s, ndërkohë që ka shprehur njëkohësisht dëshirën e tij për një marrëveshje me Rusinë, duke ngritur, edhe një herë, pyetje në lidhje me drejtimin e politikës së jashtme amerikane.

“Varet nga përkufizimi juaj,” tha Trump. “Ka shumë përkufizime të Nenit 5. E dini këtë, apo jo? Por unë jam i përkushtuar të jem miku i tyre. Jam bërë mik me shumë nga këta udhëheqës dhe jam i përkushtuar t’i ndihmoj.”

Neni 5 ka qenë gurthemeli i Aleancës së NATO-s që nga Lufta e Dytë Botërore, duke siguruar sigurinë e Evropës Perëndimore kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë dhe duke vazhduar të shërbejë si themel për sigurinë transatlantike.

Megjithatë, për Trumpin kjo është një burim i përhershëm pakënaqësie, pasi ai beson se aleatët janë tepër të varur nga shpenzimet ushtarake amerikane dhe nuk kontribuojnë mjaftueshëm në mbrojtjen e përbashkët.

Gjatë mandatit të tij të parë, ai kërcënoi të tërhiqte SHBA-në nga NATO, ndërsa vitin e kaluar deklaroi se do ta linte Rusinë të bënte “çfarë të dojë” me shtetet anëtare që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre.

Në të njëjtën kohë, Donald Trump shprehu dëshirën e tij për të arritur një marrëveshje me Rusinë.

I pyetur në lidhje me formulimin që pritet të përfshihet në deklaratën e udhëheqësve të Aleancës në lidhje me Rusinë, ai tha:

“Do ta shqyrtoj. Por e dini, do të doja të shihja një marrëveshje me Rusinë”, u përgjigj ai.

Presidenti i SHBA-së vuri në dukje se Putini e telefonoi dhe i ofroi ndihmë për Iranin. “Unë i thashë, Jo, nuk kam nevojë për ndihmë me Iranin. Kam nevojë për ndihmë me ty”, tha ai, duke shtuar: “Shpresoj se mund të arrijmë një marrëveshje me Rusinë”./ kohajuaj