Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme gjatë takimit të tyre të sotëm, të hënën më 23 qershor, në Bruksel.

Bisedimet e sotme po zhvillohen në një kohë shqetësimi ndërkombëtar në rritje, pasi SHBA-të goditën objektet bërthamore në Iran, në mbështetje të sulmeve që Izraeli ka ndërmarrë prej ditësh kundër objektivave iraniane.

Një nga çështjet kryesore që do t’i shqetësojë ministrat e jashtëm të BE-së është se si ata mund të kontribuojnë në uljen e përshkallëzimit të krizës dhe kthimin në diplomaci.

Shefja e politikës së jashtme evropiane, Kaia Kalas, u bëri thirrje dje, të dielën, të gjitha palëve “të bëjnë një hap prapa, të kthehen në tryezën e negociatave dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”.

Një çështje tjetër në axhendën e bisedimeve të ministrave të jashtëm të BE-së do të jenë përfundimet e një raporti, sipas të cilit veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës nuk janë në përputhje me Parimet e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.

Ky raport nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm, shërbimi diplomatik i BE-së, u publikua të premten dhe arriti në përfundimin se “ka indikacione se Izraeli po shkel detyrimet e tij për të drejtat e njeriut sipas Nenit 2 të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael”.

“Kufizimet e vazhdueshme të vendosura nga Izraeli në furnizimin me ushqim, ilaçe, pajisje mjekësore dhe furnizime të tjera jetësore ndikojnë në të gjithë popullsinë e Gazës”, thuhet në raport.

I pyetur për këtë, një zyrtar izraelit e përshkroi raportin të premten si “të njëanshëm”, duke vlerësuar se ai “është një shembull i standardeve të dyfishta që BE përdor ndaj Izraelit”.

Sipas Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, e cila hyri në fuqi në vitin 2000, të dyja palët ranë dakord që marrëdhënia e tyre “do të bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike”.

Raporti përfshin një seksion kushtuar situatës në Gaza, i cili mbulon çështjet që lidhen me mohimin e ndihmës humanitare, sulmet me viktima të konsiderueshme, sulmet ndaj spitaleve dhe objekteve mjekësore, zhvendosjen dhe mungesën e përgjegjësisë.

Në të njëjtën kohë, ai shqyrton edhe situatën në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë dhunën kundër palestinezëve nga kolonët hebrenj.

Qeveritë e shteteve anëtare të BE-së tani duhet të shqyrtojnë nëse dhe si t’i përgjigjen këtij raporti, me ministrat e jashtëm që duken të ndarë. Disa janë në favor të marrjes së masave kundër Izraelit. Nuk priten vendime specifike sot./kohajuaj