Seanca për shqyrtimin e kërkesës së Jamarbër Malltezit për zëvendësimin e masës së sigurisë është shtyrë dhe do të zhvillohet më 30 qershor, në orën 09:30. Malltezi ndodhet aktualisht në arrest shtëpie dhe ka paraqitur kërkesë për një masë më të lehtë sigurie.

Në të njëjtën datë është parashikuar të zhvillohet edhe seanca e parë gjyqësore në themel për çështjen e njohur si “Partizani”, një dosje voluminoze që përfshin akuza për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv.

Përveç Malltezit, në listën e të pandehurve për këtë çështje ndodhen edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe tre biznesmenë të tjerë, të cilët akuzohen për përfshirje në një skemë abuzimi me prona publike.

Gjykata pritet të shqyrtojë të dhënat dhe provat e paraqitura nga SPAK, ndërsa procesi pritet të zgjasë në kohë për shkak të kompleksitetit të dosjes dhe numrit të të pandehurve të përfshirë.