Gjykata e Posaçme cakton datën 20 qershor për zhvillimin e seancës për ish presidentin Ilir Meta, i cili kërkon verifikimin e kushteve të masës dhe zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg”.

Gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Çela ka caktuar orën 11.30 për të shqyrtuar kërkesën e Ilir Metës, i cili mbahet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar.

Mbrojtja e Metës kërkon zëvendësim të masës së sigurisë nga ‘arrest në burg’ në një masë tjetër më të butë, pasi sipas tij në rastin “Meta” janë shkelur afatet duke kaluar 8 muaj dhe në asnjë rast nuk është paraqitur nga SPAK informacion dy mujor mbi çështjen.

Më 27 maj, SPAK mori zyrtarisht të pandehur Ilir Metën dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Bëhet fjalë për tre hetime të përfshira në një dosje, afera CEZ-DIA, skandali i lobimit të LSI në SHBA dhe hetimi pasuror.