Kriza e shëndetit mendor tek fëmijët ka arritur në një pikë kritike, e përkeqësuar nga “përhapja e pakontrolluar” e mediave sociale, sipas një raporti nga organizata për të drejtat e fëmijëve KidsRight e publikuar sot.
Sipas një studimi të kryer nga KidsRights, me seli në Amsterdam, dhe Universiteti Erasmus në Roterdam, të paktën 14% e fëmijëve dhe adoleshentëve të moshës 10-19 vjeç në të gjithë botën përjetojnë probleme të shëndetit mendor, me një shkallë mesatare globale të vetëvrasjeve që arrin 6 për 100,000 adoleshentë të moshës 15-19 vjeç.
“Raporti i këtij viti është një thirrje zgjimi që nuk mund ta injorojmë më”, tha në një deklaratë Mark Dulaert, themelues dhe president i KidsRights.
“Kriza e shëndetit mendor dhe/ose mirëqenies së fëmijëve tanë ka arritur në një pikë kthese, e përkeqësuar nga përhapja e pakontrolluar e platformave të mediave sociale që i japin përparësi angazhimit mbi sigurinë e fëmijëve”, vazhdoi ai.
Indeksi KidsRight, një raport vjetor i kryer nga fondacioni, vlerëson shkallën e angazhimit të 194 vendeve ndaj të drejtave të fëmijëve dhe masën në të cilën vendet po përpiqen t’i përmirësojnë këto të drejta.
Në raportin e saj të vitit 2025, KidsRights identifikoi një “korrelacion shqetësues” midis përkeqësimit të shëndetit mendor të fëmijëve dhe asaj që organizata e quan përdorim “problematik” të mediave sociale, pra një përdorim kompulsiv dhe varësie të mediave sociale që ka një “ndikim negativ” në funksionimin e përditshëm të përdoruesit.
Mungesa e të dhënave mbi shëndetin mendor të fëmijëve është një problem i madh, sipas raportit, dhe zbulon një “nevojë urgjente” për veprime të koordinuara për të adresuar ndikimin e dëmshëm të mjedisit dixhital tek fëmijët dhe adoleshentët.
“Po i shohim qeveritë të përpiqen të përmbajnë një krizë dixhitale që po e riformëson në thelb fëmijërinë”, vazhdoi Dulaert, duke bërë thirrje që mirëqenia e fëmijëve të ketë përparësi mbi “fitimet e biznesit”.
Raporti gjen ndryshime të konsiderueshme rajonale, duke vënë në dukje se Evropa është rajoni ku 13-vjeçarët janë më të ekspozuar ndaj përdorimit problematik të mediave sociale, me 13%, dhe ku niveli i varësisë dixhitale midis 15-vjeçarëve është “i pashembullt”, me 39% të tyre në kontakt të vazhdueshëm me miqtë e tyre nëpërmjet internetit.
Me mbështetjen e Francës dhe Spanjës, Greqia propozoi javën e kaluar në një Këshill Ministrash në Luksemburg të kuadrojë përdorimin e platformave online për fëmijët, përballë shqetësimeve rreth natyrës së tyre problematike.
Në shkurt, miniseriali i Netflix-it “Adoleshenca” ekspozoi kryesisht ndikimet toksike dhe mizogjine ndaj të cilave adoleshentët janë të ekspozuar në internet, duke i shtyrë qeveritë e Britanisë dhe Francës të duan ta përfshijnë shfaqjen e programit në shkolla.
“Adoleshenca” “nxori në pah shqetësimet globale në lidhje me përfaqësimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në platformat dixhitale — por ne kemi nevojë për veprime, jo vetëm zemërim”, përfundoi Dulaert./kohajuaj