Një aksident rrugor ka ndodhur paraditen e së shtunës në zonën e njohur si “Rotondo e Levanit”.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, dyshohet se një defekt në sistemin e drejtimit (bllokimi i timonit) ka bërë që drejtuesi i kamionit të humbasë kontrollin e mjetit. Si pasojë, kamioni ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Fatmirësisht, drejtuesi i mjetit ka shpëtuar pa lëndime, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi kamioni ishte i ngarkuar me enë kuzhine.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.