Komisioni i Sanksioneve dhe Ankesave është mbledhur ditën e sotme për të shqyrtuar ankimimet në rend ditë të shtyra nga seancat e kaluara, të depoziuara nga PD-ADSHM, e cila kërkoi pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në të 12 qarqet e vendit.

Në rend ditë ishte Shkodra e para, teksa përfaqësuesi i opozitës u dëgjua për pretendimet e tij. Marash Logu u shpreh se janë gjetur parregullsi të theksuara, sidomos tek të dhënat PEI, vota e diasporës dhe referimi i votave në procesverbale, përveç atyre që ishin dorëzuar më parë si përdorimi i administratës, asfalti elektoral i qeverisë, patronazhistët dhe blerja e votave.

Pretendimet e Logut u kundërshtuan me forcë nga ana e administratës së KQZ-së, ku drjtoresha Pavlina Doçaj u shpreh se “janë të pabaza”, pasi tabela e Shkodres është certifikuar nga KQZ pa asnjë ankimim nga numëruesit apo komisionerët e opozitës. Ajo tha se nuk janë gjetur parregullsi që të çojnë në përsëritje apo pavlefshmëri zgjedhjesh.

Të njëjtin pretendim dha edhe përfaqësuesja ligjore e PS-së, Elena Xhina, që kërkoi rrëzimin e ankimimit të PD-së.

KAS pasi dëgjoi palët vendosi që mbledhja të shtyhej për ditën e mërkurë, në orën 10:30, duke i kërkuar Logut që të dorëzonte provat konkrete mbi shkeljet që pretendonte, të cilat më pas do shqyrtoheshin.

Deri tani KAS ka rrëzuar PD në 4 qarqe, (Kukës, Korç, Gjirokastër dhe Lezhë), ku ka lënë në fuqi vendimet e KQZ-së për certifikim zgjedhjesh, teksa 2 anëtarë të saj me iniciativë kanë vendosur rinumërimin e 1282 kutive të qarkut Tiranë, pas ankimimeve të 4 kandidatëve të PD-së se u janë vjedhur votat brenda partisë.

Verifikim po bëhet edhe për Durrësin, ku dy kandidatë të tjerë të PD-së kanë ankimuar për transferim vote brenda partisë, e që kan shkaur në favor të ish-prokurorit të shkarkuar nga vettingu, Arjan Ndoja.