Donald Trump përgëzoi Gardën Kombëtare për shtypjen e protestave në Los Angeles, duke thënë se bënë një “punë të shkëlqyer”. Ai theksoi gjithashtu se “këto protesta të së majtës radikale, me nxitës dhe shpesh protestues të paguar, NUK DO TË TOLEROHEN”, ndërsa kritikoi përsëri si Guvernatorin ashtu edhe Kryetarin e Bashkisë së Los Angeles për mënyrën se si i trajtuan trazirat.
Në postimin e tij në Truth Social, Trump shkroi: “Punë e shkëlqyer nga Garda Kombëtare në Los Angeles pas dy ditësh dhune, përleshjesh dhe trazirash. Kemi një Guvernator (Newscum) dhe një Kryetar Bashkie (Bass) të paaftë të cilët, si gjithmonë (shikoni se si i trajtuan zjarret, dhe tani reagimin SHUMË TË NGADALTË për të parandaluar katastrofën – parandalimi federal është i plotë!), nuk ishin në gjendje ta trajtonin situatën. Këto protesta të së majtës radikale, me nxitës dhe shpesh agjitatorë të paguar, NUK DO TË TOLEROHEN. Gjithashtu, që tani e tutje, MASKA NUK DO TË LEJOHET në protesta. Çfarë kanë për të fshehur këta njerëz dhe pse??? Përsëri, faleminderit Gardës Kombëtare për punën e tyre të shkëlqyer!”
2,000 anëtarë të Gardës Kombëtare në Los Angeles
Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se do të dërgojë sot 2,000 anëtarë të Gardës Kombëtare në Los Angeles, pas përleshjeve që shpërthyen midis agjentëve federalë dhe protestuesve gjatë ditës së dytë të protestave kundër arrestimeve të emigrantëve të paligjshëm.
Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth paralajmëroi se Pentagoni është i përgatitur të mobilizojë marinsat “nëse dhuna vazhdon” në Los Angeles, duke vënë në dukje se marinsat në bazën Pendleton aty pranë janë “në gatishmëri të shtuar”
Zyra Federale e Imigracionit dhe Doganave (ICE) bastisi vendet e punës, duke arrestuar të paktën 121 persona, kryesisht emigrantë, duke shkaktuar reagime negative nga komuniteti vendas. Protestuesit, shumë prej të cilëve janë anëtarë të komunitetit latino, akuzojnë administratën Trump për kërcënime dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Protestuesit hodhën sende drejt policisë dhe u përpoqën të bllokonin një autobus që të largohej nga zona. Policia i zmbrapsi turmën e mbledhur me gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese.
Shikoni videon e Daily Mail nga përleshjet:
Një demonstratë e dytë të shtunën në mbrëmje në qendër të Los Angeles tërhoqi rreth 60 persona, të cilët brohoritnin slogane të tilla si “ICE jashtë Los Angeles”.
Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit njoftoi nëpërmjet X se “disa persona u arrestuan për moslëvizje pas lëshimit të paralajmërimeve të shumta”. Nuk dha detaje të mëtejshme dhe nuk ka informacion zyrtar mbi arrestimet.
Protestat e para shpërthyen të premten në mbrëmje pasi agjentët e ICE kryen operacione në Los Angeles dhe arrestuan të paktën 44 persona për shkelje të imigracionit./kohajuaj