Një shtetas amerikan që kishte mbetur i bllokuar në një zonë të thepisur pranë plazhit të Akuariumit, në jug të Shqipërisë, është shpëtuar me sukses nga shërbimet e Policisë së Himarës dhe ato të Policisë Kufitare të Dhërmiut.

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, kur Salla Operative mori një njoftim për një turist që kishte pësuar dëmtime në këmbë gjatë eksplorimit të terrenit dhe nuk mund të largohej nga zona ku ndodhej. Menjëherë pas njoftimit, u organizua ndërhyrja nga strukturat e Policisë, të cilat lokalizuan dhe nxorën shtetasin amerikan nga zona e vështirë me ndihmën e një mjeti lundrues gomone.

Turisti u transportua në Spitalin e Himarës, ku mori ndihmën mjekësore të nevojshme dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka falënderuar forcat e rendit për ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionalizmin në operacionin e shpëtimit.

Autoritetet policore vijojnë të apelojnë për kujdes gjatë eksplorimit të zonave të thepisura dhe të paarritshme, sidomos për turistët që nuk janë të njohur me terrenin vendas.