Pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit, Dashamir Shehi jep dorëheqjen nga Djathtas për Zhvillim Kombëtar.

Në një konferencë për mediat kreu i këtij koalicioni tha se mban përgjegjësi për humbjen në zgjedhje.

“Përgjegjësia bie kryesisht mbi lidershipin e partive opozitare, duke filluar nga Koalicioni Djathtas për Zhvillim.

Kjo është një përgjegjësi që e mbaj unë personalisht, sharrën e humbjes dhe për këtë motiv largohem nga drejtimi i Koalicionit për t’i hapur rrugë njerëzve më të rinj sesa unë dhe më energjik.

T’u japim njëherë mirënjohje që na kanë votuar, sadopak që ishin. Janë përballur si njerëz të lirë për disa ide lirie dhe demokracie për alternativën tonë. Zgjedhjet në Shqipëri ishin një lloj farse midis dy partive kryesore, njëra për të mbajtur pushtetin dhe tjetra për opozitën”, u shpreh Shehi.

Djathtas për Zhvillim Kombëtar, i drejtuar nga Shehi nuk arriti të marrë asnjë mandat në zgjedhjet e 11 majit.