Papa Leoni XIV premtoi sot në fjalimin e tij në Meshën inauguruese në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan se do të punojë për unitetin në mënyrë që Kisha Katolike Romake të bëhet simbol i paqes në botë.

Në predikimin e tij para dhjetëra mijëra besimtarëve, zyrtarëve botërorë dhe të kishës, Papa Leoni tha se dëshiron që Kisha Katolike Romake të jetë e bashkuar, raportoi AP.

Në vazhdim, ai theksoi se Kisha duhet të udhëhiqet vetëm nga dashuria, ashtu si Jezusi e bëri.

Agjencia deklaron se thirrja e Papës për unitet është domethënëse duke pasur parasysh polarizimin në Kishën Katolike Romake në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë. Më parë, Papës i dhuroheshin simbolet zyrtare të detyrës së tij papnore – paliumi, një veshje liturgjike, dhe unaza papnore, një unazë peshkatari.

Veshja liturgjike është bërë nga leshi i qengjit, që simbolizon rolin e Papës si bari i besimtarëve. Paliumi vishet mbi shpatull dhe fiksohet me tre gjilpëra që ngjajnë me gozhdët në kryqin e Krishtit.

Unaza e Papës, e njohur edhe si unaza e Piscatorit, simbolizon marrëdhënien e Papës me Shën Pjetrin, i cili ishte peshkatar. Unaza shkatërrohet ose thyhet pas vdekjes së papës.

Mesha inauguruese e Papa Leon XIV u zhvillua në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, raporton Ansa. Përpara kurorëzimit të tij, Papa kaloi për herë të parë këtë mëngjes me papamobilin nëpër Sheshin e Shën Pjetrit dhe përshëndeti besimtarët.

Papa u përshëndet me dorë besimtarëve të mbledhur, të cilët valëvitnin flamuj dhe bërtisnin “Rroftë Papa!”.

Kambanat e Bazilikës së Shën Pjetrit ranë ndërsa papamobili kaloi ngadalë nëpër shesh. Besimtarët valëvitnin flamuj peruanë, amerikanë, të Vatikanit dhe të vendeve të tjera.