Më 16 maj 2025, Shqipëria do të presë Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (KPE) në Tiranë, duke mbledhur 47 krerë shtetesh dhe qeverish, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.

Kjo do të jetë hera e parë që KPE mblidhet në Ballkanin Perëndimor—një moment me rëndësi historike si për Shqipërinë, ashtu edhe për rajonin në tërësi.

Ajo përfaqëson jo vetëm një njohje simbolike të vendit të Evropës Juglindore në strukturën politike të kontinentit, por edhe një investim strategjik në rolin e saj për të ndikuar në të ardhmen e Evropës.

Disa nga liderët do të mbërrijnë prej ditës së sotme, ku i pari që pritet është kryeministri britanik.

Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer pritet të jetë në Rinas rreth orës 10:30, të paradites së sotme. Më pas mbërrin shefi i NATO-s, Mark Rutte i cili do të jetë rreth orës 15:30, kurse presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pritet në mbërrijë në Rinas në orën 18:30.

Pritet gjithashtu të vijë në Shqipëri edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen si dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Përveç liderëve botërorë, i pranishëm në këtë event do të jetë edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner dhe themelues & CEO, Affinity Partners.

Sipas axhendës së zbardhur, ai do të mbajë fjalën në orën 10:05, ku do të diskutohet për investimet si një urë lidhëse mes tregjeve dhe zhvillimin e tyre.

Të premten e 16 majit, Rama do të nis ditën me disa takime që do i paraprijnë samitit të Komunitetit politik. Parashikohet që ai të ketë bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, e më pas me homologun spanjoll Pedro Sanchez.

Kryeministri Rama do të ketë edhe gjatë pasdites një seri takimesh të tjera me homologë të ndryshëm evropian, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe presidentin turk Rexhep Erdogan.

Axhenda e samitit

10:00 – Mbërritje
11:00 – Ceremonia e hapjes
11:30 – Foto familjare
11:45 – Seanca e parë plenare
13:00 – Dreka zyrtare
14:30 – Tryeza tematike
15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve
17:30 – Seanca plenare mbyllëse
18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministrin e Danimarkës (pritësi i radhës)