Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë të mërkurën në Podgoricë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është investim strategjik dhe kyç për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin, dhe se Mali i Zi mund të bëhet anëtar i bllokut deri në vitin 2028.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se Costa po e viziton vendin ballkanik në një kohë vendimtare për synimet e Podgoricës për t’u bërë pjesë e BE-së.
“Ardhja juaj konfirmon se perspektiva evropiane e Malit të Zi mbetet lart në agjendën e BE-së. Në këto kohë sfiduese, politika e zgjerimit mund të jetë vendimtare. Ne mund të jemi drita në fund të tunelit dhe konfirmim se procesi i zgjerimit është gjallë”, tha Millatoviq.
Mali i Zi, siç deklaroi ai, dëshiron të jetë shembull i një historie të suksesshme evropiane.
Mali i Zi i nisi bisedimet për anëtarësim në qershor të vitit 2012, dhe prej atëherë i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht tre. Pas disa vitesh ngecjeje, ky vend i rinisi negociatat qershorin e kaluar dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre.
Costa e përshkroi përparimin e Malit të Zi në rrugën e tij drejt BE-së si “mbresëlënës”.
“Slogani ’28 deri në vitin 2028′ është shkëlqyeshëm, por do të ishte më mirë nëse do të arrihej më herët”, tha ai, duke shtuar se Mali i Zi “mund të bëhet anëtari i 28-të dhe një lider në integrimin evropian të rajonit”.
Ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, veçanërisht me vendet që janë tashmë anëtare të BE-së.