Sali Berisha vazhdoi me avazin e vjetër që pas çdo humbjeje, gishtin e fajit e drejton diku tjetër dhe kurrsesi te vetja e tij.

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se Partia Demokratike fitoi 82 mandate, por se Partia Socialiste ia vodhi 30 të tilla.

“Pra, në çdo aspekt këto ishin zgjedhjet më të grabitura, më të plaçkitura dhe më të dhunuara në tërë historinë elektorale të Shqipërisë pluraliste. Kurrë ndonjëherë bandat nuk kanë prurë kaq shumë përfaqësues të tyre në parlamentin shqiptar sa në këtë parlament. Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim”, tha Berisha ndër të tjera.

Berisha paralajmëroi dhe protestë në ditën e Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, më datë 16 maj.

“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet në datën 16, në orën 17:00, në Bulevardin Zogu I, për të sensibilizuar opinionin publik botëror, mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral, Edi Rama, që nuk respekton asnjë ligj ndërkombëtar për zgjedhjet”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

“Protesta do të jetë paqësore. Garantojmë se nuk do të ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e shtetarëve që vijnë, por duam që ata ta mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij”.