Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) vendosi sot se Rusia është përgjegjëse për rrëzimin e një aeroplani malajzian mbi Ukrainë në vitin 2014, duke vrarë të 298 personat në bord, njoftoi qeveria holandeze.

Në njoftim thuhet se Këshilli i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil do të shqyrtojë formën dhe shumën e kompensimit në javët në vijim.

Aeroplani, që operonte fluturimin MH17 të Malaysian Airlines, u nis më 17 korrik 2014 nga Amsterdami i Holandës, me destinacion Kuala Lumpurin, kryeqytetin e Malajzisë. Ai u rrëzua ndërsa fluturonte mbi Ukrainën lindore, mes armiqësive midis separatistëve pro-rusë dhe forcave të armatosura ukrainase.

Në nëntor 2022, drejtësia holandeze kishte dënuar në mungesë dy rusë dhe një ukrainas për rolin e tyre në sulm. Moska e quajti vendimin “skandaloz” dhe e bëri të qartë se nuk do t’i ekstradonte qytetarët e saj.

Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, e cila ka selinë në Montreal të Kanadasë, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nga Reuters. Në vitin 2022, Australia dhe Holanda ndërmorën veprime ligjore kundër Federatës Ruse për rrëzimin e avionit malajzian.

“Vendimi është një hap i rëndësishëm drejt zbulimit të së vërtetës dhe ofrimit të drejtësisë dhe llogaridhënies për të gjitha viktimat e fluturimit MH17, familjet dhe të dashurit e tyre”, tha Ministri i Jashtëm holandez Kaspar Feldkamp. “Ky vendim gjithashtu i dërgon një mesazh të qartë bashkësisë ndërkombëtare: shtetet nuk mund ta shkelin ligjin ndërkombëtar pa u ndëshkuar”, shtoi ai.

Holanda dhe Australia po i kërkojnë Këshillit të ICAO-s që t’i kërkojë Rusisë të marrë pjesë në negociatat për pagesën e kompensimit, theksoi Feldkamp.