Pas djalit të Donald Trump dhe Richard Grenell, edhe Bashkimi Europian ka përgënjeshtruar Sali Berishën.

Në një reagim në Facebook, delegacioni i BE në Tiranë përgënjeshtroi një lajm të publikuar në portalin e familjes Berisha ku pretendohet se “Delegacioni i BE-së në Shqipëri apo ambasadori kanë ndërhyrë për të hequr emra nga raporti paraprak zgjedhor i OSBE/ODIHR.

“Artikulli i publikuar nga Syri.net, që pretendon se Delegacioni i BE-së në Shqipëri apo Ambasadori kanë ndërhyrë për të hequr emra nga raporti paraprak zgjedhor i OSBE/ODIHR, është i pavërtetë.

Raportet e vëzhgimit zgjedhor të OSBE/ODIHR janë të pavarura, të paanshme dhe bazohen vetëm në gjetje të verifikuara nga ekipet e tyre të vëzhguesve. Dezinformimi mund të dëmtojë besimin e publikut në proceset demokratike”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se në një artikull të publikuar sot, portali i familjes Berisha pretendon se ambasadori Gonzato ka ndërhyrë në momentin e fundit për të hequr disa emra konkretë nga raporti paraprak për zgjedhjet e 11 majit.

Në artikull pretendohet se në raport ka pasur emra banditësh, drejtorësh, shefa policie në Elbasan që janë angazhuar në krim elektoral, por janë fshirë.

“Raporti paraprak për zgjedhjet i OSBE/ODIHR dukej se ishte kritik, por në momentet e fundit me ndërhyrjen e ambasadorit te BE në Tiranë, Silvio Gonzato janë hequr disa emra konkretë nga raporti.

OSBE/ODIHR ka pasur në raport emra banditësh, drejtorësh, shefa policie në Elbasan që janë angazhuar në krim elektoral, por që me ndërhyrjen e zyrtarëve të BE në Tiranë, emrat janë hequr nga raporti”, shkruhet në lajm.