I ftuar në emisionin “Ora e Betit”, që transmetohet në “Ora News”, ishte kompozitori i njohur David Tukiçi, i cili ndau me publikun emocionet dhe historinë pas krijimit të operës së tij më të re, të titulluar “Rozafa”, një vepër e frymëzuar nga legjenda e njohur shqiptare që e ka shoqëruar që në fëmijëri.

” Për legjendën ‘Rozafa’ unë mund të them që e kam pasur në shpirt që kur kam lindur sepse babai im, Ibrahim Tukiçi e këndonte gjithmonë këngën që ishte për Rozafën.

Edhe melodinë e mbaj mend dhe gjithmonë e kisha këtë dëshirë që të shkruaja për këtë legjendë kaq të famshme në vendin tonë por dhe unike ndofta në të gjithë botën sepse ka me mijëra kështjella apo kala në botë por asnjëra nuk ka një legjendë kaq interesante sa ç’është Rozafa.

Unë pikërisht pra i lindur në qytetin e Shkodrës kam shkruar edhe një koncert shumë vite më parë me titullin ‘Rozafa’, ku unë në mendjen time fantazoja për Rozafën dhe nuk ka një program të detajuar ky koncert, të cilin ma ka luajtur në mënyre virtuoze i ndjeri Pandush Gjezi, me dirigjentin Eno Koço. Nuk isha i kënaqur me kaq.

Unë doja që këtë legjendë ta bëja një opera, ta ngjallja Rozafën”, u shpreh Tukiçi. /rtvora/