Policia ka arrestuar babain e 24-vjeçares palestineze Rayyan Alwan, i cili dyshohet se vrau me thikë të bijën në banesën e marrë me qira në Tiranë rreth dy muaj më parë.
49-vjeçari Fadi Alwan u kap në Liban me qëllim ekstradimin në vendin tonë. Ndaj tij Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Njoftimi i policisë:
Akuzohet se vrau me mjet prerës, vajzën e tij, rreth 2 muaj më parë, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, arrestohet në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 49-vjeçari palestinez.
Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, dhe si rezultat i komunikimit të vazhdueshëm me strukturat homologe në Liban, nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit, u kap në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi palestinez, F. A., 49 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shtetasi F. A., në shkurt 2025, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, Tiranë, ka vrarë me mjet prerës, vajzën e tij, shtetasen R. A..
Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave të Interpolit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.