Nga Kujtim Mateli-
Një vizitor a turist që vjen në Përmet dhe viziton luginën e Përmetit i duket se ky vend është i zhveshur nga Historia. Pamje të mrekullueshme që japin tre malet e vargmalit Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë, por edhe ujërat termale të Bënjës, Bredhi i Hotovës, Gryka e Këlcyrës etj. Mirëpo pasi e ka vizituar udhëtari dhe turisti krijon përshtypjen se banorët e kësaj lugine janë të ardhur vonë, sepse ai nuk shikon gjurmë arkeologjike që do ta lidhnin me periudhat të hershme historike. Historia e famshme e antikitetit, duket se mungon në luginën e Sipërme të Vjosës.
Po realiteti është krejt ndryshe.
Po përse Përmeti nuk e ekspozon historinë e tij nëpërmjet vendeve arkeologjike të zbuluara para vitit 1990? Do të donim një përgjigje nga ata që paguhen nga shteti shqiptar dhe që një pjesë e tyre ndodhen në Tiranë, kurse pjesa tjetër në vetë Qarkun e Gjirokastrës. Unë do të sjell dëshminë më të vjetër që i përket mijëvjeçarit të Tretë dhe të Dytë para lindjes së Krishtit që është vendbanimi i Dedejanit, në shpat të malit Nemërçkë, nga ana perëndimore e fshatit Draçovë, një sipërfaqe më shumë se 4 mijë metra katror dhe që arkeologët e kanë llogaritur se duhet të ketë pasur rreth 400 shtëpi. Po 400 shtëpi për periudhën e bronzit, tregojnë se kemi të bëjmë me një qytet, madje nga më të rëndësishmit, pavarësisht se arkeologët pas zbulimit të tij, nuk kanë kryer asnjë gërmim duke e lënë në hije këtë qytetërim që lidhet me fisin e parauejve. Për vendbanimin e Dedejanit kanë hulumtuar arkeologët: Gjerak Karaiskaj (Fortikimet prehistorike në Shqipëri, Monumentet nr. 14, 1977, faqe 20) Namik Bodinaku, (kontribut për hartën arkeologjike të rrethit të Përmetit, sesion shkencor mbi rezultatet e gërmimeve arkeologjike të vitit 1978) dhe Neritan Ceka (Lindja e jetës qytetare te ilirët e Jugut, Iliria nr 2, viti 1983, fq 184)
Të tre arkeologët kanë dhënë të dhëna të rëndësishme për fortifikimin e Dedejanit: muraja parahistorike, si dhe një fortifikim i periudhës së vonë të bronzit (1500-1200 para erës sonë).
Këtij zbulimi i ka bërë jehonë, në ato vite, historiani përmetar, Dhimitraq Lole, në gazetën “Bashkimi” 3 nëntor 1985 me shkrimin: “Vendbanimi i fortifikuar i Dedejanit”. Mirëpo përveç konstatimeve, nuk shkoi asnjë ekspeditë arkeologjike. Qysh atëherë ky vendbanim ka mbetur i panjohur dhe jehona e atyre viteve ka ardhur duke u shuar nga viti në vit.
Për vendbanimin e Dedejanit ka shkruar edhe historiani i njohur përmetar Stilian Adhami:
“…në shpat të malit të Nemërçkë, përmbi grykës së madhe të Shëndëllisë, në fshatin Draçovë, nga ana perëndimore dhe në vendin e quajtur Dedejan, vitet e fundit arkeologët tanë kanë zbuluar muraja parahistorike, një fortifikim të periudhës së vonë të bronzit, ndërtuar mbi disa taraca me mure mbrojtëse në një pozicion mjaft të përshtatshëm. Nga jugu, lindja dhe veriu rrethohet me përrenj, që burojnë nga cirqe akullnajore të Nemërçkës (Draçovës), që vendasit i njohin me emrat gjeologjikë: gryka e Madhe dhe Gryka e Vogël…… Muret rrethues përfshijnë një sipërfaqe rreth një hektar…
Hyrja e kalasë së Dedejanit, që është krijuar në mesin e murit të parë, përfaqëson një tip interesant. Për t`u futur brenda këtij vendbanimi të fortifikuar, duhet të përshkosh më parë një korridor të ngushtë dhe të gjatë…
Në këtë vendbanim janë gjetur me shumicë qeramikë, si dëshmi të kulturës materiale të tij. Qeramika e bronzit të vonë dhe e fillimit të hekurit e radhit, përveç ngjashmërisë nga pikëpamja e skemës, edhe kronologjikisht Dedejanin krahas fortifikimit të Karosit (Qeparo), por edhe me një dendësi më të madhe dhe vazhdimësi në epokën e hekurit.
Sipas gojëdhënave, vendbanimi i fortifikuar i Dedejanit ka qenë dikur një fshat i madh me mbi 400 shtëpi, i përbërë nga dy lagje, ndarja e të cilave jepet nga muret rrethues. Lagjja e vogël, që zë një vend të sheshtë, shtrihet nga veriu, ka një sipërfaqe afërsisht 400 metër katrorë, kurse lagjja e madhe gati 4000 metra katrorë” ( Stilian Adhami, Përmeti dhe përmetarët në faqet e historisë, Tiranë 2001, fq. 20-21)
Një përmbledhje më të plotë, ku janë pasqyruar të gjithë autorët që kanë hulumtuar dhe folur për Dedejanin, gërshetuar edhe me mitologjinë rreth malit Nemërçkë, e kam bërë dhe unë në vitin 2011, në librin: “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”.
Jemi në ditët e fundit të muajit prill 2025. Vendbanimi i Dedejanit ende vazhdon i pashkelur nga këmba e udhëtarit, vizitorit dhe turistit. Kush është përgjegjës për mospromovimin e këtij vendi arkeologjik, nga më të vjetrit në trojet tona? Janë disa institucione që duhej të koordinoheshin me njëri-tjetrën. Institucionet shkencore shqiptare, në ditët e sotme, të përfshira nën ombrellën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duhet të saktësonin kohën e themelimit të këtij vendbanimi nga gjetjet arkeologjike që do të përfitoheshin nga gërmimet që do të kryheshin nga ekspeditat arkeologjike. Këto gërmime do t`i shërbenin në radhë të parë vetë këtij institucioni akademik. Nëse fortifikimi i përket periudhës së bronzit, pra mijëvjecarit të dytë, ‘muret parahistorikë’ e çojnë vendbanimin e Dedejanit në mijëvjeçarët e mëparshëm para Krishtit. Dedejani tregon se shqiptarët i kanë banuar këto troje deri në 5-6 mijëvjeçarë, nisur nga muret që ishin më të vjetër se Mijëvjeçari i dytë para Krishtit. Po kjo periudhë përputhet edhe me përfundimet e studiuesve amerikanë të botuara në revistën “ Science” që e çojnë origjinën e formimit të gjuhës shqipe 6 mijë vjet më parë. Nëse bota shkencore botërore e nxjerr shqipen të vjetër 6000 vjeçare, nëse do të ishin kryer gërmime arkeologjike në Dedejan, do të vërtetohej se trualli ku shqipja është formuar janë edhe këto shpate të malit Nemërçkë. Nëse ne shqiptarët nuk i kemi sot shkencëtarët në fushë të gjuhës në nivele evropiane dhe botërore, ne kemi truallin ku është formuar kjo gjuhë dhe, me provat që (të cilat fatkeqësisht ne nuk duam t`i zbulojmë), kemi mundësinë të tregojmë, me dëshmi arkeologjike, se në këto troje ka jetuar krijuesi i gjuhës shqipe që i dha njerëzimit modele të admirueshme qytetërimi.
Në këto ditë, kandidatët për deputetë të qarkut Gjirokastër, janë më të angazhuarit për të dhënë ide dhe mendime se si do ta përmirësojnë jetën e qytetarit. Do të doja që këto ditë që kanë mbetur deri më 11 maj, të hidheshin hapa konkret që edhe vendbanimi i Dedejanit të përfshihet në guidat turistike të qarkut Gjirokastër.