Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është bërë vendi i parë që përdor inteligjencën artificiale në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjatë aktivitetit me temë “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri”, Rama theksoi se ky hap është bërë i mundur falë bashkëpunimit me Mira Muratin, ish-drejtuesen shqiptare të kompanisë OpenAI, si dhe punës së AKSHI-t.

“Me Mira Muratin jemi lidhur që në javën e parë pas daljes së ChatGPT në treg. Sot, falë bashkëpunimit me Mirën dhe punës së AKSHI-t, negociatat me BE bëhen me inteligjencë artificiale,” tha Rama.

Kryeministri theksoi se AI po përdoret për të përkthyer dhe harmonizuar mbi 250 mijë faqe të trupit ligjor të BE-së me përpikmëri të jashtëzakonshme.

“Vetëm për këtë proces, Kroacisë i janë dashur 7 vite. Ne do ta mbyllim brenda afatit të dakordësuar me Komisionin Evropian, në vitin 2027,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se përkthimi dhe përpunimi i këtij voluminoz dokumentacioni kryhet me një saktësi prej 99.9%, falë përdorimit të modeleve më të avancuara të inteligjencës artificiale.