Universiteti “La Sapienza” në Romë ka përuruar hapësirat e reja të studimit në godinën e ish-klubit rekreativ, të cilat do të mbajnë emrin e Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare të vrarë mizorisht nga ish-i dashuri i saj.
Ilaria ishte studente në Fakultetin e Shkencave Statistikore dhe u bë simbol i dhimbjes dhe ndërgjegjësimit ndaj dhunës ndaj grave. Ceremonia përkujtimore u zhvillua në prani të rektores Antonella Polimeni, prindërve dhe vëllait të Ilarias, të cilët zbuluan edhe pllakën kushtuar saj, ku shkruhej:
“Ilaria Sula, studente e Sapienzës, të mos harrojë të gjitha gratë viktima të femicideve, e ardhmja e të cilave nuk mund të shkruhet më.”
Kjo nismë u organizua në kuadër të përvjetorit të 722-të të themelimit të universitetit më 20 prill 1303 nga Papa Bonifaci VIII, si dhe 90-vjetorit të qytetit universitar më 31 mars 1935.
Ilaria u zhduk më 25 mars dhe u gjet pa jetë më 2 prill, brenda një valixheje. Ish-i dashuri i saj, Mark Samson, rrëfeu krimin, duke pranuar se e kishte qëlluar me thikë në banesën e saj dhe më pas kishte fshehur trupin. Rasti i Ilarias ka tronditur opinionin publik dhe është kthyer në një thirrje për veprim kundër dhunës me bazë gjinore.