Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka rrëfyer periudhën kur ai punonte si gazetar në gazetën Koha Jonë.
I ftuar në emisionin Dekalog të Roland Qafokut në DritareTV, Hasani ka ndarë disa momente të veçanta nga karriera e tij, duke përmendur një ndër intervistat e para që ka realizuar, atë me Edi Ramën, kur ky i fundit sapo ishte emëruar Ministër i Kulturës.
Ai theksoi se një nga njerëzit kyç që i dha mundësinë të hyjë në botën e gazetarisë ishte Nikollë Lesi, i cili gjithashtu i dha rrogën e parë dhe mundësinë që të ushtronte një profesion që nuk e kishte menduar kurrë atë të gazetarit.
“Një pjesë e rëndësishme e jetës sime ka filluar në vitin 1997, kur kam filluar punë tek Koha Jonë, e cila për mua ishte një universitet i tretë, pasi dy universitetet që kisha kryer ishin të ndryshme. Ishte më i madh se çdo universitet që kisha kryer për mënyrën se si punonte, për idealizmin që kishte në raportimin e lajmeve që nuk kishin interesa. Do doja shumë që ta shikoja sërish në mediat shqiptare,” shprehu Hasani.
Ai vazhdoi duke thënë se Nikollë Lesi i dha mundësinë të ushtrojë profesionin e gazetarit, një mundësi që ai nuk e kishte menduar kurrë të kishte.
“Nikollë Lesi më dha rrogën e parë dhe gjithashtu më dha mundësinë që të ushtroja një profesion që nuk kisha menduar kurrë që do ta bëja. Shumë studentë të asaj periudhe, ashtu siç isha edhe unë, hynë në jetë përmes Nikollë Lesit,” tha Hasani.
Ministri Hasani ka kujtuar edhe disa intervista të veçanta, ndër to edhe batutat që shkëmbeu me Edi Ramën, kur ky i fundit ishte emëruar Ministër i Kulturës.
“Unë si gazetar mbaj mend shumë intervista, ndër to ishte edhe batuta e parë e Edi Ramës, kur ishte Ministër i Kulturës. Ai sapo kishte ardhur në Shqipëri dhe ishte bërë Ministër i Kulturës. Ishte një telefonatë në orët e vona, ku ne shkëmbyem disa batuta për emërimin e tij të ri dhe ato batuta i botova si një lloj prononcimi i tij për mediat,” përfundoi Hasani.