Sali Berisha ka zbuluar detaje nga çelja e fushatës ditën e nesërme duke thënë se do të ketë shumë surpriza.
“Fushata surprizë, por nëqoftëse thuhen surprizat sot, atëherë, ato janë jo surpriza.
Problemi është se, çifti dashurohet muaj apo vite, por e ka një ditë që ndryshon dhe paraqitet krejt tjetër dhe të gjithë pavarësisht se i kanë parë qindra e mijëra herë, vrapojnë t’i shohin atë ditë si çift, me kostumin e nusërisë. Ndaj dhe të gjitha surprizat janë nesër”, tha Berisha.
I pyetur në lidhje me përkimin e hapjes së fushatës në 40 vjetorin e vdekjes së Enver Hoxha, ai tha:
“Tani, pyetja e parë kishte të bënte me koinçidencat. Asnjë lidhje nuk ka. Nuk kanë lidhje.
Tani të themi të vërtetën, po ta bënte PS-ja e cila e ka at shpirtëror dhe ka lidhje në krim me nomenklaturën, Edi Rama, edhe mund të shkonte mendja.
Jo, nuk ka asnjë, i ra dita që duhet bërë dhe është dita e fitores. Kjo datë është një shtytje më e fuqishme akoma për demokratët për të fituar në 11 maj.
Pyetja e dytë (sa deputetë do marrë), siç e kam theksuar, unë nuk jam përqindje dhe numra, sepse unë nuk jam profet. Nuk marr rol profeti. Ajo çka bëj unë, dhe po përpiqem me gjithë forcën time, të sigurojë një mbështetje madhore, kombëtare të qytetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtare për fitoren e 11 majit.
Dhe besoj se këto janë evidente, janë evidente. Ju shifni entuziasmin që ekziston dhe optimizimin e ligjshëm që ekziston sot në Shqipëri.
Ju e keni konstatuar dhe e konstatoni superentuziasmin që ekziston në shqiptarët jashtë vendit, për këto zgjedhje. Ju dhe gjithë shqiptarët e panë, e morën vesh qëndrimin e prerë të komunitetit ndërkombëtar, vendosmërinë e tyre për të mbështetur me të gjithë potencialin që kanë, votën e lirë të shqiptarëve. Këto mund të them”, tha ai.