Kandidati i Koalicionit Euroatlantik për Shkodrën, Xhevdet Amuli, ka reaguar ndaj deklaratave së Sali Berishës të bëra mbrëmjen e sotme, duke e sfiduar për një sërë çështjesh që lidhen me pazaret politike dhe listat e mbyllura të opozitës së vjetër.
Amuli pyet Berishën se pse nuk foli me shkodranët se çfarë mendimi kanë për Jozefina Topallin që mori lekë nga Rama në zgjedhjet e 2021 për t’i marrë vota PD-së në Shkodër dhe ti sot e fut në listën e sigurt në Tiranë. Ai gjithashtu e akuzon për shitjen e bashkisë së Shkodrës dhe për emërimin e Benet Becit, si një pazar mes tij dhe Ramës.
“Pse nuk i pyete shkodranët për futjen e Ilir Metës në listën tënde? Apo për 700 mijë eurot që dy nga kandidatët e tu kanë paguar për të qenë në listën e mbyllur të Shkodrës?”, shkruan Amuli.
Amuli gjithashtu thotë se Berisha është i trembur nga mbështetja në rritje e Koalicionit Euroatlantik, ndërsa thekson se Shkodra nuk do të shitet më për pazare politike.