Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Sokol Çomo priti në ambientet e Kolegjit, Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë Silvio Gonzato dhe Të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Nancy VanHorn, në një takim me fokus procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vetting) dhe përfundimin e tij brenda afateve kushtetuese.

Kryetari i Kolegjit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së dhe ShBA-së procesin e Vetting-ut dhe theksoi domethënien e saj për ecurinë e këtij procesi të vështirë, që tashmë ka hyrë në fazën përmbyllëse të tij. Në një panoramë të shkurtër rreth procesit të Vetting-ut, z. Çomo tha se për të përfunduar gjykimin e rreth 100 çështjeve të mbetura brenda qershorit të vitit 2026, Kolegji, përveçse ka marrë të gjitha masat e nevojshme, ka bashkëpunuar ngushtësisht me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit për krijimin e një plani pune konkret që ka filluar të zbatohet.

Ambasadori i BE-së në Tiranë Silvio Gonzato, theksoi mbështetjen e BE-së në këtë proces, duke shtuar se është e rëndësishme që secili prej subjekteve të rivlerësimit, çështja e të cilit është në pritje për t’u shqyrtuar, të jetë përballë të njëjtave standardeve të gjykimit, të vendosura nga Kolegji. “Ne vlerësojmë punën tuaj, bashkëpunimin me ONM-në, si dhe përpjekjet për të ruajtur standardet e gjykimit. Keni gjithë mbështetjen tonë, kemi marrë masat që të gjithë vëzhguesit e ONM-së të jenë të pranishëm krah jush deri në mbylljen e procesit të Vetting-ut”, u shpreh ambasadori i BE-së Gonzato.

Znj. Nancy VanHorn shprehu gjithashtu vlerësimin për përpjekjet e gjyqtarëve të Kolegjit në këtë proces sfidues, për të ruajtur ekuilibin e ritmit të shtuar nga njëra anë dhe ruajtjen e cilësisë së gjykimit nga ana tjetër. “Ne e kuptojmë se sa sfidues është ky proces për ju dhe familjet tuaja,” tha znj. VanHorn. “Angazhimi juaj për ta përfunduar atë brenda mandatit kushtetues tregon forcë dhe duhet të shërbejë si shembull për institucionet e tjera të drejtësisë”.