Gjykata e Posaçme ka veçuar çështjen për ish-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka nga të pandehurit e tjerë që ndodhen në kërkim, dhe pranoi kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të tij.

Zarka është marrë i pandehur për korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm, ndërsa emri i tij doli pas zbërthimeve të aplikacionit Sky Ecc.

Nga ana tjetër gjykata ka veçuar dosjen për tre personat e tjerë, mes të cilëve ish-oficerja e BKH Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi për shkak se nuk janë arrestuar ende nga policia dhe vijojnë të jenë në kërkim. Çështja për ta u pezullua për një vit.

Zarka u arrestua më 29 korrik 2024 me kërkesë të SPAK dhe firmosur nga GJKKO.

Sipas SPAK, të dyshuarit kanë ndërhyrë, marrë ryshfet dhe dhënë ryshfet funksionarëve të drejtësisë në 8 çështje penal, 4 nga të cilat të lidhura për dosjen “Toyota Yaris” që kur dosja ishte te Prokuroria e Krimeve te Rënda e me pas kur ajo shkoi në Gjykatën e Tiranës në hetimet paraprake e deri te hetimet pasurore ndaj personave të akuzuar.

Gjithçka është zbuluar nga komunikimet ne SKY ECC dhe Enchro chat, ku mësohet se vetëm prokurori Aurel Zarka ka pasur 4 kode, ku komunikonte me Dautajn, edhe kjo me llogari të saj në platforma komunikimi.

Mes çështjeve të tjera ku ka ndikuar prokurori është edhe ajo për hetimin pasuror ndaj Suel Çelës, i nisur nga operacioni “Forca e Ligjit”. Këtu kryeprokurori i Vlorës ka tentuar të ndikojë të prokurorët në Prokurorinë e Posaçme.